Site icon PORTALB

Rasti i Kumanovës s’i ka dëmtuar marrëdhëniet me Maqedoninë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Anadolu Agency ka folur për krizën politike në vend me theks të veçantë për marrëveshjen e kontestuar për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, për fushatën agresive të Serbisë kundër pranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim Kulturë dhe Shkencë (UNESCO) si dhe reflektimin që mund ta ketë kjo në vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

Ai është ndalur edhe në marrëdhëniet e Kosovës me Maqedoninë, Turqinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Në raport me Maqedoninë, Mustafa foli për akuzat nga qarqe të caktuara të cilat pas ngjarjeve të Kumanovës e akuzuan Kosovën për “eksport të terrorizmit”. Lidhur me këtë, kryeministri i Kosovës tha se nuk ka asnjë argument të eksportit të terrorizmit, sepse janë munduar maksimalisht që të bashkëpunojmë me të gjitha vendet fqinje për arsye se lufta kundër terrorizmit nuk është një luftë që mund ta bëjë vetëm një vend.

“Neve na vjen keq për atë çfarë ka ndodh në Kumanovë, sepse janë humbur jetë njerëzish, janë shkatërruar pasuri dhe natyrisht se askush nuk do ta dëshironte atë. Mund të them se nuk ka ndikuar në raportet e Kosovës me Maqedoninë sepse ne kemi vazhduar të kemi marrëdhënie të mira me qeverinë e Maqedonisë, natyrisht duke respektuar në mënyrë reciproke njëra-tjetrën”, tha ai.

Ndërkaq sa i përket shtetasve të arrestuar kosovar tha se ambasada e Kosovës në Shkup ka qenë në vazhdimësi e kyçur prej ngjarjes e tutje. “Ne nuk kemi bërë ndërhyrje tjera sepse do të ishte një ndërhyrje e jonë atje, por dëshirojmë që procesi (gjyqësor) të zhvillohet duke respektuar të gjitha kriteret e së drejtës ndërkombëtare dhe atë ne do ta kërkojmë në vazhdimësi”, theksoi Mustafa.

Kryeministri kosovar mes tjerash u ndal edhe tek mbledhja e përbashkët qeveritare Maqedoni-Kosovë, e cila një kohë të gjatë paralajmërohet. “Nuk e kemi përcaktuar akoma në mënyrë të qartë se a do të bëhet takim i formateve të plotë të dy qeverive, apo të bëjmë takime të dy qeverive me ministritë të cilat do të kenë pastaj lidhje të marrëveshjeve. Ne kemi angazhuar njerëzit tanë që janë edhe pranë kabinetit tim edhe pranë ministrive që të harmonizojnë me ambasadën e Maqedonisë që është këtu edhe me qeverinë maqedonase”.

Kryeministri Mustafa duke folur për fushatën agresive të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat e ndryshme botërore, siç ndodhi së fundmi me UNESCO-n ku Kosova u krahasua me ISIS-in (sinonim për DAESH) tha se kjo padyshim do të ndikojë negativisht në vazhdimin e dialogut mes dy shteteve.

Exit mobile version