Site icon PORTALB

BDI dhe LSDM akuzojnë VMRO-DPMNE-në dhe PDSH-në

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë

Me 1 minutë heshtje për viktimat e sulmit terrorist në Paris, ka nisur sot seanca e 73-të plenare në Kuvendin e Maqedonisë, raporton Portalb.

Petre Shilegov, nga LSDM, ka kërkuar përgjegjësi nga VMRO-DPMNE për prolongimin e Marrëveshjes së Përzhinos, në lidhje me themelimin e Komisionit anketues për përgjimet, me ç’rast PDSH dhe VMRO-DPMNE ende nuk i kanë propozuar anëtarët e saj.

“Komision anketues për përgjimet, siç janë marr vesh në Përzhino duheshe të formohet sot. Propozoj që të anulohet seanca dhe VMRO-DPMNE t’i propozojë anëtarët për në Komision anketues, sepse nëse nisim seancën plenare për buxhetin kjo çështje edhe më tepër do të vonohet”, tha Shilegov.

Kryeparlamentari Trajko Veljanovski nuk pranoi propozimin e Shilegovit.

“Z. Shilegov të propozoni nuk jeni koordinator. Koordinatori i VMRO-DPMNE-së ju ka informuar se gjatë ditës do të rregullohet kjo punë. Nëse në ndërkohë kemi material do ta vendojë në rend dite”, theksoi Veljanovski, raporton Portalb.

Edhe Xhevat Ademi ka kritikuar VMRO-DPMNE-në për vonesën në propozimin e anëtarëve për Komisionin anketues rreth përgjimeve.

“BDI dhe grupi parlamentar i BDI-së sillemi me përgjegjësi. BDI nuk është pjesë e asnjë taktizimi, anulimi ose aleanca të caktuara. Kërkesa jonë është që obligimet e marrëveshjes duhet të implementohen. Nuk po e kuptojmë prolongimin e Marrëveshjes”, potencoi Ademi, raporton Portalb.

Veljanovski ka kërkuar konstruktivitet nga deputetet dhe të mos merren me retorika për përfitim të poenëve politik.

Komisioni parlamentar për çështjen e zgjedhjeve dhe emërimeve, sot e shtyu diskutimin e propozim vendimit për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit anketues për përgjimet. Kryetari i Komisionit Zoran Ilioski informoi se çështja do të vendoset në rend dite kur të merren propozimet nga grupet parlamentare të VMRO-së dhe PDSH-së.

Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në rend dite janë Propozimi i plotësuar i Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2016 dhe Propozim vendimi për shpalljen publike për zgjedhje të kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor./Portalb

Exit mobile version