Site icon PORTALB

Rrethi vicioz i deklaratave dhe lajmeve të huazuara

[Recension: “Hipokrizia e BDI-së për përmendoret shqiptare në “Skopje 2014””]

Teksti që po recensojmë është lajm i huazuar nga portali “Fakte.net” i  cili ka përdorur burime të shumë mediave të ndryshme në informatën e shkruar. Por as ai as “huazuesi” nuk kanë tentuar që vetë ta shkruajnë lajmin me deklarata, qëndrime që do t’i mblidhnin personalisht, e jo të përcjellin deklarata të mediave të tjera.

Linku deri te artikulli origjinal: Hipokrizia e BDI-së për përmendoret shqiptare në “Skopje 2014”

Data dhe koha e publikimit: 08/11/2015

Data e recensionit: 10/11/2015

Recensuese: Ferikan Iljazi

Autori i këtij teksti që nga titulli kuptohet se tenton të flasë për “hipokrizinë e BDI-së” lidhur me çështjen e vendosjes së përmendoreve të figurave të dalluara shqiptare në kryeqytet, por nuk ka arritur efektin e dëshiruar sepse këto nuk janë elementet e nevojshme të lajmit bindës. Teksti është shumë konfuz pasi që nuk dihet se ku fillon e ku mbaron mendimi i gazetarit, nuk dallohen komentet prej fakteve, nuk jepen baza të besueshme që do të dëshmonin atë që dëshiron të vendosë në pah autori. Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komenteve- thuhet në nenin 13 të Kodeksit të Gazetarëve të Maqedonisë.

“Hipokrizia e BDI-së në lidhje me këtë çështje, si dhe për çdo çështje tjetër, nuk duron asnjë koment të logjikës së shëndoshë. Pas gafës së shekullit, kur deputeti dhe shefi i kabinetit të Ali Ahmetit, Artan Grubi bëri “selfie” me përmendoren e Metodija Shatorov -Sharllo duke e paraqitur si “Nexhat Agolli të derdhur në bronzë në sheshin e Dardanisë”, tani, fajet i paskan partitë maqedonase”

Autori për tu dukur më bindës citon një kumtesë të BDI-së e cila. në fakt, kishte mundur të jetë një bazë e mirë për të dëshmuar atë që pretendohet por duke përsëritur deklaratat e tyre ku premtojnë vendosjen e përmendoreve brenda një kohe të shkurtër.

 “Jemi të zhgënjyer nga mungesa e gatishmërisë dhe kurajës së dy partive maqedonase, që në emër të bashkëjetesës ndëretnike për të cilën deklarohen, të tejkalojnë interesat ditore dhe të hedhin një hap konkret që do të rriste realisht mirëbesimin ndëretnik. U bëjmë apel dy partive dhe Këshillit të Komunës Qendër të votojnë menjëherë vendosjen e përmendoreve shqiptare, duke i dhënë fund njëherë e mirë qasjes hipokrite ndaj temave etnike”, janë përgjigjur nga zyra për informim e BDI-së për AlsatM”

Në mungesë argumentesh, autori fillon të komentojë vetë atë që e quan hipokrizi të partisë shqiptare në pushtet.  Për më tepër, ai thirret në emër të gjithë popullit shqiptar kurse në tekst nuk figuron asnjë qytetar shqiptar që duhej të kishte konsultuar. Gazetarët e kanë shumë të lehtë punën nëse synojnë të punojnë në interes të së vërtetës dhe së drejtës. Nuk duhet shumë mund për të konsultuar të gjitha palët e përfshira në një temë me interes publik dhe në bazë të përgjigjeve që do të merren të përpilohet një tekst i mirëfilltë. Nuk ka nevojë as për mund që t’i jepet kahje tekstit pasi që vetë lexuesit dinë të bëjnë dallimin mes së vërtetës dhe gënjeshtrës kur u ofrohen fakte të besueshme.

Exit mobile version