Site icon PORTALB

Sa është pasuria e kandidatëve presidencialë

Kandidatet me te pasur 2016

Kandidatet me te pasur 2016

Kur bëhet fjalë për zgjedhjet presidenciale në Amerikë dhe rolin e parasë në politikën amerikane, në opinionin publik kryesisht mbizotëron besimi se presidentë bëhen vetëm ata që kanë shumë para. Besohet se për t’u bërë president së pari duhet të jesh pasanik i madh dhe se sistemi politik amerikan automatikisht diskualifikon kandidatët më të varfër, apo ata nga shtresat e mesme. Mirëpo ky mit nuk bën dallimin mes pasurisë personale të kandidatëve dhe paratë që shpenzohen në fushatë. Megjithëse është e vërtetë që fushatat moderne kërkojnë resurse të majme finansiare, këto para vijnë kryekëput nga donacionet. Kandidatët rrallë shpenzojnë pasurinë e tyre personale, e kjo do të thotë që edhe kandidatë pa ndonjë kamje të posaçme mund të organizojnë fushata të suksesshme, gjithmonë nëse arrijnë të mbledhin resurse tjera të rëndësishme për kandidaturën e tyre.

Sidoqoftë nuk është se kandidatët që garojnë për zgjedhjet e vitit 2016 nuk qëndrojnë financiarisht mirë. Vëmendjen këtë rradhë padyshim e ka tërhequr Donald Tramp, ndoshta njeriu më i pasur që ka kandiduar ndonjëherë për president të Amerikës. Por dy hulumtime të veçanta që kanë bërë portali Politico dhe gazeta Forbs, tregojnë se fusha presidenciale numëron një numër të madh milionerësh, si republikanë ashtu edhe demokratë. Poashtu përkundër mitit se kandidatët domosdo duhet të jenë të pasur, hulumtimet tregojnë se disa kandidatë madje janë në borxhe. Ky grup përfshin edhe njërin nga kandidatët më serioz për të fituar presidencën, Marko Rubio.

Pasuria në Amerikë ruhet në forma të ndryshme. Kandidatët mund të kenë biznese private, aksione nëpër kompani të ndryshme, pjesë në fonde investuese, depozita bankare, patundshmëri e të tjera. Këto forma të ruajtjes së pasurisë mund të vlerësohen në mënyra të ndryshme, e secila domosdo jep një rezultat të ndryshëm. Kështu është edhe me hulumtimet e Politico dhe Forbs, që dallojnë te shifrat totale të pasurisë të secilit kandidat. Të dyjat megjithatë japin renditje pothuaj të njëjtë të kandidatëve nga më i pasuri te më i varfëri. Në tabelë kemi kyçur edhe një përshkrim të prejardhjes kryesore të pasurisë:

 

Kandidati Forbs Politiko Të ardhurat kryesore
  Donald Tramp 4.5 miliardë 1.4 miliardë Biznese të ndryshme
  Karli Fiorina 58 milionë 59 milionë Ish drejtore e HP, investime të ndryshme
  Hillari Klinton 45 milionë 32 milionë Fjalime, konsulenca
  Linkoln Çafi 32 milionë 25 milionë Biznes i trashëguar
  Xheb Bush 22 milionë 25 milionë Fjalime, konsulenca, anëtar bordesh të ndryshme
  Ben Karson 26 milionë 14 milionë Neurokirurg, në borde kompanish të ndryshme
  Xhon Kasiç 10 milionë 13 milionë Ka punuar në bankën Lehman Brothers, emision në Foks Njuz
Majk Hakabi 9 milionë 12 milionë Emision në Foks Njuz
  Xhorxh Pataki 13 milionë 11 milionë Avokat, konsulent
  Xhim Gilmor 7 milionë 8 milionë Aksione
  Bobi Xhindal 5 milionë 8 milionë Guvernator i Luizianës
  Ted Kruz 3 milionë 3 milionë Avokat
  Kris Kristi 3 milionë 2 milionë Guvernator i Nju Xhersit
  Rend Pol 2 milionë 1 milionë Oftalmolog, ka shkruar katër libra
  Berni Sanders 700 mijë 419 mijë Senator nga Vermonti
  Lindsi Graham 1 milionë 263 mijë Senator nga Karolina e Jugut
  Skot Uoker -87 mijë Guvernator i Uiskonsin, borxhe
  Marko Rubio 100 mijë -176 mijë Senator nga Florida, ka shumë borxhe
  Rik Santorum 2 milionë -203 mijë Qiraja nga patundshmëri, ka shumë borxhe
  Martin O’Malli 0 -244 mijë Borxhe

 

Rradhitja e këtillë nuk përkon me rradhitjen e fondeve që kanë mbledhur kandidatët në fushatë, as me peshën reale politike të kandidatëve. Nga lista e 10 më të pasurve tre veçmë janë tërhequr nga gara, pesë kanë fare pak gjasa për të fituar, ndërsa dy të tjerët janë Hillari Klinton dhe Xheb Bush. E këta, do të dakordohemi, nuk i bën kandidatë seriozë pasuria e tyre, sa i bëjnë mbiemrat e famshëm dhe bagazhi i begatë politik.

Pra edhepse paraja është e rëndësishme në politikë, nuk është e thënë që kandidati të jetë personalisht multi-miliarder. E kohët e fundit këtë më së miri e mësuan në kurriz të tyre dy pasanikë tjerë të mëdhenj që u kandiduan për president, Mit Romni (rreth 220 milionë dollarë) në 2012 dhe Xhon Keri (rreth 280 milionë dollarë) në 2004.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Exit mobile version