Shkupi dhe Renova luajn derbin e javës
Të dielën në stadiumin e Shkupit në Çair, do të luhet ndeshja derbi e xhiros së 14-të të Ligës së Parë. Skuadra bardhekaltër ka punuar në kontinuitet për këtë përballje dhe sipas trajnerit Zekirija Ramadani, mësohet se janë gati për të dhënë një paraqitje të mirë, por të kurorëzuar me fitore.
“Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e radhës. Na gëzon fakti që ekipi ngadalë po kompletohet, pasi po kthehen nga lëndimi futbollistët të cilët na munguan në disa ndeshje. Përballë nesh do ta kemi ekipin e Renovës që është në formë të mirë, pasi ka shënuar tri fitore radhazi, ndërsa ne siç e dini nuk kemi ende fitore ne fushën tonë. Ne do të kemi një motiv të shtuar për të fituar këtë ndeshje, pasi luhet derbi i javës ku përballë do kemi Renovën. Mendoj se të dielën do të arrijmë të nxjerrim formacionin më të mirë dhe me fitore ti gëzojmë tifozët tanë”.
Edhe mbrojtësi Mevlan Adili është optimist për ndeshjen e të dielës, përkundër faktit që Renova është në formë, Adili ka thënë se Shkupi ne secilën ndeshje futet e motivuar dhe e përkrahur nga tifozët e shumtë të saj “Shvercerat Shkup”.
“Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e të dielës kur në Çair do të vjen Renova, skuadër kjo e cila në ndeshjen e parë në Gostivar arriti të na marrë barazim, edhe pse ne kishim dominuar lojën. Unë mendoj se është koha që të fitojmë, ne kemi “armën” më të fortë me ne, ata janë “Shvercerat-Shkup” dhe mendoj me organizim të mirë do ti japim edhe një fitore klubit, tifozëve dhe kështu të bëhemi ekip që do të luftojë për kreun e tabelës”.
Në duelin e parë që ishte luajtur në Gostivar, ndeshja Renova – Shkupi përfundoi me shifra të barabarta 1:1, ndërsa Shkupi kishte dominuar ndeshje.
Përballja FC Shkupi – KF Renova luhet të dielën në stadiumin e Çairit me fillim në orën 13:00. / Portalb /