Site icon PORTALB

Gjykata shpall fajtore dy motrat Kajtazi, që u arratisën pasi helmuan prindërit

Orialda Kajtazi

Gjykata e Durrësit ka shpallur fajtore dy motrat Kajtazi, të cilat akuzohen për vjedhje në bashkëpunim e shkatërrim prone. Orialda dënohet me 8 muaj shërbim prove ndërsa Klevisa dënohet me 50 orë pune në interesin publik. Ndërkohë që Prokuroria kërkoi nga 1 vit heqje lirie për dy motrat Kajtazi.

Më e madhja nga motrat, Orialda Kajtazi në një prononcim për Neës24 i ka kërkuar ndjesë publike familjes së saj.
“I kërkoj falje familjes sime. Shpresoj që motra e vogël të bashkohet me familjen”, tha Orialda.
Nga ana tjetër Gjykata shtyu shqyrtimin e kërkesës së Klevisa Kajtazit, e cila ka kërkuar moskthim në familje sepse e dhunojnë.

Historia e ngjarjes

Orialda 18 vjeç dhe motra e saj 14-vjeçare tronditën opinionin publik me planin “triller” të zhdukjes së tyre. Ato shfrytëzuan momentin që familjarët ndodheshin në spitalin e Tiranës pasi u helmuan nga ushqimi, për t’i vënë flakën shtëpisë e për t’u larguar me paratë, 4 celularë dhe pasaportat. Gjithçka sipas policisë ka qenë e qëllimshme dhe tani vajzat do të duhet të përballen edhe me drejtësinë për shkatërrimin e pronës me zjarr dhe vjedhje në bashkëpunim. Policia kishte rënë në gjurmët e motrave Kajtazi në sajë të zbardhjes së tabulateve telefonike të 18-vjeçares. E gjithë kjo histori dyshohet se fsheh pas hakmarrjen e motrës së madhe ndaj prindërve të saj, të cilët i prishën fejesën. Më herët familjarët e vajzave hodhën dyshime se ato mund të ishin gënjyer nga ndonjë person, pasi sipas dëshmisë së babait, ato nuk dilnin asnjëherë të vetme nga shtëpia, madje dhe për kafe shoqëroheshin nga familja.

Historia e tyre nis më 15 korrik, kur babai, nëna dhe motra e madhe u helmuan nga ushqimi i drekës. Kryefamiljari Muhamed, Kajtazi 49 vjeç, bashkëshortja e tij 39-vjeçare Anila Kajtazi dhe vajza 20-vjeçare Alketa u dërguan për mjekim në kryeqytet, ndërsa dy vajzat e tjera, 18-vjeçarja Orialda dhe motra e saj e vogël K.Kajtazi ndenjën në shtëpi, pasi ishin të vetmet që nuk u helmuan. Kur familjarët u kthyen të nesërmen, u përballën me surprizën. Shtëpia e tyre në lagjen nr. 15 ishte djegur rreth orës 02:30 dhe dy vajzat e vogla ishin zhdukur pa lënë gjurmë, duke marrë veç sendeve të veta personale, edhe 400 mijë lekë dhe 800 euro, 4 telefona celularë, pasaportën dhe kartën e identitetit të motrës së madhe që ndodhej në spital. Çifti i bashkëshortëve Kajtazi bëri denoncimin në Polici për zhdukjen e vajzave. Nga hetimet rezultoi se ishin pikërisht vajzat të cilat i vunë flakën shtëpisë dhe që vodhën lekët e telefonat e familjarëve.

Exit mobile version