Kosovës i duhet betejë e vërtetë kundër korrupsionit

Lufta ndaj pasurisë së paligjshme duhet të jetë një prioritet parësor i Kosovës sepse është instrumenti më i efektiv për ta luftuar korrupsionin jo vetëm në rastin e Kosovës, por është një dëshmi se ka qenë instrumenti më efektiv edhe në Evropën Lindore.

Kështu është thënë të martën në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike me temën “Lufta kundër pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve të lartë në Kosovë: Çfarë është progresi aktual?”.

Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), tha se në relacionin me Bashkimin Evropian pikë qendrore në kuadër të kushtëzimeve që lidhen me sundimin e ligjit është lufta ndaj kësaj pasurie dhe sipas tij, kjo është thënë në mënyrë shumë eksplicite si në konkluzionet që rrjedhin prej procesit të Stabilizim-Asociimit ashtu edhe në dialogun e strukturuar që Kosova e ka me Komisionin Evropian sa i përket sundimit të ligjit.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ryari O’ Conell, tha se tani Kosova duhet të sillet si çdo shtet tjetër evropian, të krijojë kulturën e vet politike dhe çfarëdo veprime që do të ndërmarrë tani do të ndikojnë në të ardhmen e saj.

Sipas tij, në Kosovë aktualisht dhe fatkeqësisht po mbretëron kultura e mos ndëshkimit.

“Këtu gati askush nuk mbahet përgjegjës dhe llogaridhënës. Shtrohet pyetja a ku vullnet politik për të luftuar këto fenomene, të cilat shkaktojnë një sërë problemesh serioze. Mungesa e integritetit pengon investimet e huaja direkte, zhvillimin ekonomik dhe punësimin e të rinjve. Unë mendoj dhe besoj se njerëzit janë të lodhur me të gjitha këto skandale të korrupsionit, kanë humbur besimin e tyre në sistemin e drejtësisë. Tani Kosova duhet t’i jap fund kësaj kulture të mos ndëshkimit”.

“MSA është një mundësi e përsosur të ndëshkoj këtë kulturë. Unë u bëj thirrje zyrtarëve qeveritarë që të luftojnë seriozisht korrupsionin para se të jetë shumë vonë. Kosova duhet të fillojë të zbatoj ligjet që ka dhe të bashkërendoj ligjet dhe të koordinojnë veprimet në mes të institucioneve, sepse vetëm kështu krijohet një kulturë institucionale dhe vetëm kështu do të luftohet çdo sjellje korruptive e zyrtarëve pavarësisht kush janë ata apo çfarë pozite mbajnë dhe vetëm kështu kur askush s’do të jetë mbi ligjin një betejë e vërtetë kundër korrupsionit do të fillojë”, tha ambasadori O’ Conell.

Sipas tij, Kosova duhet të bëjë tri gjëra për të treguar se me sa seriozitet do t’i luftoj këto dukuri, e para që të luftohet korrupsioni dhe zyrtarët të jenë në gjendje të sqarojnë prejardhjen e pasurisë sepse nuk mjafton vetëm deklarimi i saj, të caktohet afati kohor i sekuestrimit, dhe të implementohen ligjet në fuqi.

Edhe Shqipdon Fazliu, koordinator nacional për luftimin e krimit ekonomik, tha se Kosova për fat të keq vazhdon të përballet me sfidat dhe problemet më elementare të konfiskimit.

Ai theksoi se përderisa mund të jenë relativisht të kënaqur sa i përket konfiskimit që ka ndodhur brenda kompetencave të cilat bazohen në kodin e procedurës penale shtoi se nuk ka asnjë sukses sa i përket ligjit mbi kompetencat e zgjeruara për konfiskim.

“Ka nevojë për ligjin e ri anti-mafia që lejon konfiskimin e pasurisë së paligjshme edhe pa një aktgjykim dënues. Në vitin 2013 ka pasur sekuestrime në Kosovë në vlerën prej vetëm 2.5 milionë euro, viti 2014 e ka gjetur Kosovën me shumëfishim të pasurisë së sekuestruar, sepse ka arritur vlerën rreth 31 milionë euro”.

“Ndërkohë sa i përket këtij viti periudha janar-shtator shifra e sekuestrimeve arrin në rreth 20 milionë euro apo më saktësisht në shumën prej 19 milionë 373 mijë euro ku nga to ka tokë, vila, para të gatshme, banesa, vetura, lokale”.

“Sa i përket konfiskimeve përfundimtare për fat të keq nuk jemi në nivel të kënaqshëm ngase deri më tani konfiskime përfundimtare kemi jo më shumë se 66. 716 euro të cilat para i janë kthyer buxhetit të Kosovës”, theksoi Fazliu.

Ndërkohë Albana Rexha, prezantuese e raportit “Lufta kundër pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve të lartë në Kosovë” tha se në bazë të të dhënave që i kanë marrë nga agjencioni i cili bënë administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në pesë vitet e fundit vlera e aseteve të konfiskuara është më pak se 1 milion përkatësisht 500 mijë euro, ndërkaq sa i përket pasurisë së zyrtarëve të deklaruar në Agjencinë Antikorrupsion apo edhe jetën luksoze të klasës politike vërehet se ka mungesë të rezultateve konkrete në këtë punë.

“Ky raport evidenton diçka nga këto nga probleme kryesore të aspektit legjislativ dhe atij institucional. Problem tjetër është mos lejimi i zhvendosjes barrës së provës ku prokurorët në Kosovë janë ata të cilët kanë përgjegjësi të dokumentojnë se pasuria e të akuzuarit është fituar në mënyrë të paligjshme dhe është në disproporcion me të hyrat e vetë të akuzuarit”.

“Problem tjetër është mungesa e bashkëpunimit të mirëfilltë dhe mungesa e një databaze të përbashkët në mes të institucioneve relevante prokurorisë, gjyqësorit dhe agjencisë. Ka shumë raste kur institucionet e akuzojnë njëri-tjetrin për mungesë të rezultateve konkrete në këtë fushë”, nënvizoi ajo.

Disa nga rekomandimet që ka prezantuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike në këtë tryezë ishin që marrë parasysh se procesi i konfiskimit po zvarritet si pasojë e sistemit i cili është i bazuar në dënim dhe mungesës së zhvendosjes së provës, të ndryshohet kjo politikë dhe të futet zhvendosja e barrës së provës dhe të lejohet edhe sistemi i bazuar në jo dënim.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button