Site icon PORTALB

Debati i tretë: Rubio nokauton Bushin

Bush perballet me Rubion

Bush perballet me Rubion

Para debatit të tretë të garës republikane thamë se në debat janë tre kandidatë që duhet ndjekur me kujdes: Xheb Bush, Marko Rubio dhe Ted Kruz. Kjo pasi kandidatura e Bushit kishte rënë në telashe dhe atij i ishte shfaqur një kundërkandidat serioz për mbështetjen e establishmentit, e ky ishte Marko Rubio. Në debat Bush duhej të tregonte se mund të përballej lehtë me kontestuesin e ri dhe kështu të hiqte dyshimet e shfaqura për kandidaturën e tij. Ndërkaq Ted Kruz meritonte kujdes pasi gjithnjë e më tepër po pozicionohet si favorit i fraksioneve tjera, i gatshëm të mbledhë përkrahësit e Donald Trampit dhe Ben Karsonit kur këta të lënë garën.

Debati i tretë do të mbahet mend si momenti kur Bush dhe Rubio u përplasën për herë të parë publikisht dhe kur Rubio me shkathtësinë e tij oratorike arriti të eklipsojë totalisht mentorin e tij të mëparshëm. Shkas i përplasjes u bë çështja e mungesave të Rubios në Senat dhe sugjerimet e moderatorit se ndoshta ai duhet të japë dorëheqje nga Senati. Në këtë kurth hyri Bushi që i dha të drejtë moderatorit me fjalët: “Marko, kur u zgjodhe në këtë post ishte mandat gjashtëvjeçar dhe ti duhet të shkosh në punë. Dua të them, çka është Senati, javë pune franceze? Duhet të paraqitesh vetëm tre ditë në javë? Ti mund të bësh fushatë, por jep dorëheqje dhe le dikë tjetër të bëjë punën”.

Por përgjigja e Rubios, i cili qartazi kishte pritur këtë lloj akuze, ishte shkatërruese. Ai përmendi faktin se edhe senatorët Keri, Obama, Klinton dhe Mekejn kishin munguar në Senat gjatë fushatave të tyre, por kjo nuk i kishte penguar më parë Bushit: “Jo Xheb, nuk më kujtohet, nuk më kujtohet se je ankuar për mungesat e Xhon Mekejn. I vetmi shkak pse e ngre tani këtë çështje është se ne kandidohemi për postin e njëjtë dhe dikush t’a ka mbushur mendjen se duhet të më sulmosh mua.”

Bushi nuk ishte në gjendje të kundërpërgjigjej dhe në pjesën tjetër të debatit mbeti plotësisht nën hije. Rubio ndërkaq shfrytëzoi momentin për të qenë gjatë gjithë natës në qendër të vëmendjes. Këtë e vërteton edhe fakti se ai foli për 10:10 minuta, ndërkaq Bushi në total pati vetëm 6:39 minuta. Megjithëse nuk ka patur anketa të reja, fitorja në përplasje i ka rritur gjasat e Rubios në bastore nga 33% në 42%, ndërsa Bush ka rënë nga 18% në 10%.

Shumë mirë në debat kaloi edhe Ted Kruz, i cili gjithnjë e më tepër po tregohet si kandidati më i arrirë i frymës anti-Uashington të bazës republikane, një autsajder partiak por debatues i shkathtë dhe me përvojë paraprake politike. Momenti më mbresëlënes i debatit, sipas reagimit në rrjetet sociale, ishte sulmi që ju bëri mediave liberale, që sipas tij anojnë dukshëm kah demokratët. Gjasat e tij janë rritur nga 6% në 10% dhe ai tani ndan vendin e tretë me Bushin.

Përveç Rubios dhe Kruzit, fitues tjetër i debatit mund të llogaritet Kris Kristi. Guvernatori i zëshëm i Nju Xhersit pati shansin për të shpalosur konceptet e tij për gjendjen ekonomike, me fokus të veçantë te reforma e sistemit pensional, të cilin e përshkroi me fjalorin e tij karakteristik, direkt dhe të hapur: “Qeveria ju ka mashtruar dhe ju ka vjedhur. Ju kanë thënë se pensionet i keni në një fond të besueshëm. Ndërsa në atë fond kanë mbetur vetëm borxhe, për para që i kanë shpenzuar që moti për qëllime tjera. Tani e dijnë që nuk do mund t’iu paguajnë këto beneficione dhe sistemi pensional do të mbetet pa para brenda 7-8 viteve. Kristi tani mund të konsiderohet si alternativë e tretë e establishmentit, nëse dështojnë Bush dhe Rubio.

Kandidatët tjerë nuk lanë ndonjë mbresë të veçantë. Dy udhëheqësit e tanishëm të garës ishin çuditërisht të qetë. Tramp nuk ishte ai ylli mediatik i mëparshëm, për herë të parë nuk ishte në qendër të vëmendjes dhe nuk foli më tepër se tjerët. Karson i cili tani udhëheq garën në Ajova vazhdoi të luajë rolin e xhentëllmenit, duke debatuar qetë, me ton të ulët, pa hyrë në konflikte me kandidatët tjerë; pra në stilin e tij të dëshmuar që e ka ngjitur në majë të garës.

Ndërkaq bashkë me Bushin humbës tjerë mund të llogariten Hakabi dhe Pol, që assesi nuk po mund të zënë dhe mbrojnë pozicionet që priteshin prej tyre para garës, Hakabi te evangjelistët dhe Pol te libertarianët. Kasiç tentoi të paraqitet si më i pjekuri në dhomë, por pa shumë sukses. Ashtu si në debatet e kaluara Fiorina pati një paraqitje të mirë dhe stabile, por tani që është e njohur ajo nuk ka më dobi nga faktori befasi që i jepte shtytje pas debateve të mëparshme.

Humbës absolut i debatit ishte televizioni CNBC. Megjithëse me 15 milionë shikues debati theu rekordin si emision më i shikuar në historinë e tij, televizioni u desh të përballet me akuzat e republikanëve gjatë dhe pas debatit. Moderatorët u akuzuan se me qëllim nxitnin konflikte pa substancë mes kandidatëve dhe se nuk arritën të mbajnë nën kontroll rrjedhën e debatit. Vërtetim i mirë për këtë ndoshta është edhe pabarazia e madhe në kohën e dhënë kandidatëve, siç shihet nga tabela më poshtë:

Kandidati Koha
Karli Fiorina 10:32
Marko Rubio 10:10
Xhon Kasiç 9:42
Donald Tramp 9:26
Kris Kristi 8:31
Majk Hakabi 7:39
Ted Kruz 7:34
Ben Karson 7:02
Xheb Bush 6:39
Rend Pol 6:15

 

Nën presion të fuqishëm nga fushatat e kandidatëve republikanë, Komiteti Nacional Republikan veçmë ka anuluar debatin e ardhshëm në këtë televizion, që duhej të mbahej në shkurt 2016. Në përgjithësi duket se çëshja e perceptimit republikan se mediat anojnë pro-demokratëve do të jetë temë aktuale deri në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Exit mobile version