200 nxënësit shqiptarë në Selanik dhe Janicë nisën këtë vit akademik pa librat e abetares dhe gjuhës shqipe.
Pas kontakteve që mësuesit shqiptarë në Greqi patën me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit ata nuk morën një përgjigje pozitive për zgjidhjen e kësaj situate.
Por kolegia dhe mësuesja e këtyre nxënësve në Greqi, Anila Jole inicioi vetë një fushatë sensibilizimi në rrjetin social “facebook” për sigurimin e këtyre librave.
Kjo fushatë sensibilizimi “Dhuro një abetare, të ndihmosh gjuhën shqipe” u mbështet fillimisht nga televizioni “Neës 24” dhe konkretisht në emisionin “Vila 24” ku pas thirrjes së bërë publikisht pati një sensibilizim gjithnjë e në rritje jo vetëm nga Tirana, por edhe nga shqiptarët në Amerikë dhe Kanada.
Por nxenesit shqiptarë në Greqi që duan të mësojnë gjuhën amëtare janë ndihmuar edhe nga moshatarët e tyre në Tirane. Gazetarja Valbona Sulçe, mbështetëse e fortë e kësaj fushate, krijoi lidhjen me shkollën “Vatra e Dijes”, nxënësit e së cilës dhuruan librat e tyre të vjetër që bashkëmoshatarët shqiptrarë në Greqi të mësojne gjuhën e nënës.
“Unë i ndihmoj sepse ndihem shumë i gëzuar që ata duan të mësojnë gjuhën shqipe”,-shprehet një nga nxënësit e kësaj shkolle.
“Unë dua që bashkëmoshatarët e mi të mësojnë gjuhën amëtare, gjuhën e nënës”,- thot një tjetër nxënëse.
“Bashkëmoshatarët tanë kanë nevojë më shumë se ne për këto libra dhe unë do të bëj çmos që ata t’i kenë në dorë dhe të mësojnë”,- shprehet një nga nxënëset e shkollës “Vatra e Dijes”
Me donacionet e këtyre vogëlushëve dhe stafit pedagogjik të shkollës “Vatra e Dijes” u bë e mundur të sigurohen 30 libra të rinj të Gjuhës Shqipe 2 dhe 3, përveç librave të vjetër që nxënësit dhuruan. /Portalb