Site icon PORTALB

“Status quo-ja” e Përzhinos, e ëmbël për VMRO-në, shqiptarët statistë

Gruevski, Han, Zaev dhe nënshkrimet e liderëve nga marrëveshja e 15 korrikut 2015

Gruevski, Han, Zaev dhe nënshkrimet e liderëve nga marrëveshja e 15 korrikut 2015

Edhe pse ka afat të caktuar për implementimi, Marrëveshja e Përzhinos është në pauzë. Humbësi më i madh në këtë rast janë qytetarët e Maqedonisë, ndërsa shikuar nga aspekti negociues kjo gjendje “status quo-je” i konvenon vetëm VMRO-DPMNE-së, thonë njohësit e rrethanave politike për Portalb.

Pas dështimit të arritjes së marrëveshjes mes liderëve në takimin e tyre të mesnatës, ka humbur dinamika e takimeve ndërsa partitë politike kanë dhënë qëndrime të kundërta në lidhje me procesin negociues. Për VMRO-DPMNE-në procesi është aktiv, nga ana tjetër LSDM pohon se procesi është ndërprerë, derisa nga kabineti i lehtësuesit Van Hojte për Portalb kanë kumtuar se po zhvillohen takime bilaterale jo formale.

“Marrëveshja ka mbetur pa frymë, por mirë që endë s’ka vdekur. Po bëhen përpjekje që të mos vdesë. Vdekja e marrëveshje do të jetë katastrofale për Maqedoninë. Edhe njëherë do të dëshmohej se për disa interesat partiake janë më të rëndësishme se interesat e qytetarëve. Unë shpresoj që, me qenë se ndërkombëtarët funksionojnë me maksimën “karota apo shkopi”, ne karotën e kemi ngrënë dhe tash do të aktivizohet shkopi, me qëllim që të fitohet raport pozitiv. Në të kundërtën ne do të kemi regres, që për një të ardhme nuk do të mund të garantohet unitarizmi i shtetit”, tha për Portalb profesori universitar Jove Kekenovski.

Të huajt e duan vendin tonë, thotë ai, më shumë se ne. “Ne nuk kemi sens, s’kemi ndjenja për interesat e shtetit”, shprehet Kekenovski.

“Kjo gjendje i konvenon udhëheqësisë kriminale të VMRO-DPMNE-së, për ta shpëtuar lëkurën e tyre, sepse është çështje kohë se kur ata do të ulen në bankën e të akuzuarve për t’u përgjigjur për aktet e tyre në dëm të qytetarëve të Maqedonisë”, përfundon Kekenovski.

Nga ana tjetër, sipas analistit Naser Zyberi, status quo-ja shkon në dëm të gjithë shtetit, ndërsa i shkon për shtati vetëm një subjekti, VMRO-DPMNE-së- e cila është edhe fajtore për moszbatimin e Marrëveshjes.

Zyberi për Portalb ka komentuar edhe rolin e përfaqësuesve shqiptar në këtë proces. “Faktori shqiptar gjatë gjithë kohës, edhe gjatë negociatave derisa u arrit marrëveshja treguan një dozë të neutralitetit. Pozicioni i tyre nuk është i mjaftueshëm për ta debllokuar procesin. Mendoj se faktori shqiptar duhet të jetë këmbëngulës në debllokimin e marrëveshjes”, theksoi për Portalb Zyberi.

“Maqedonia rrezikon heqjen e rekomandimit, shkaku i bllokimit të negociatave. Megjithatë, BE-ja kalkulon ende me shtyrjen e procesit, prandaj nuk është e prerë dhe decide në kuptimin e marrjes së masave ndaj atyre që po paraqiten si frenues te procesit”, deklaroi Zyberi.

Jo-zyrtarisht mësohet se gjatë vikendit që kalojë lehtësuesi Piter Van Hojte i ka qartësuar qëndrimet e VMRO-DPMNE-së me ministrin për shëndetësi Nikolla Todorov, por a është arritur diçka konkrete ende nuk ka informacion./Portalb

Exit mobile version