Tashmë ka nisur angazhimet e saj rreth krijimeve të reja. E ndërsa po shijon suksesin e këngës së fundit të sjellë në anglisht e të titulluar “Heart on Fire”, këngëtarja Adelina Tahiri ka mbledh forcat për prurje tjera artistike.
“Para festave do të dal me një këngë tjetër. Kënga është duke u punuar nga Mc Doda. Është një këngë shumë e mirë”, ka thënë fillimisht këngëtarja.
Por, kënga e re nuk do të jetë e vetmja befasi nga këngëtarja shkupjane. Një baladë do t’i shtohet raportuarit të saj muzikore, të cilën beson se do ta pres mirë publiku i saj. “Për festa të fund vitit e kam në planë të vijë edhe me një baladë. Por imtësitë po i lëmë të shihen kur të finalizohet kënga”.
Adelina ka rrëfyer edhe për projektin dedikuar tregut evropian, të realizuar kohë më parë, duke shfaqur kënaqësinë e saj për pritjen që morri nga publiku, shkruan Tribuna.
“Të them sinqerisht kënga po shkon shumë mirë, sidomos këtu në Maqedoni. Edhe pse jam e vetmja këngëtare shqiptare që asnjëherë nuk kam kënduar maqedonisht, këngët e mija për maqedonasit janë të njohura.Kënga është duke depërtuar edhe më larg. Është në diskutim e sipër të shitet edhe në Angli nga një produksion anglez. Por nuk do të doja të flas më tepër për këtë deri sa të ketë diçka të finalizuar”.