Malkolm X sugjeron kurën për racizmin në një letër të sapozbuluar shkruar me dorë

Letra është në shitje për 1,25 milionë dollar

Nga Kimberli Riçards

Një letër e zbuluar së fundmi me shkrim dore nga Malkolm X më 1964 përshkruan racizmin e asaj kohe si një “kancer të pashërueshëm”, që po “torturon” Amerikën. Blerësi i dorëshkrimeve historike dhe letrave nga Los Anxhelesi Moments in Time rifitoi letrën 6-faqëshe të aktivistit për të drejtat qytetare. Ajo doli në shitje për 1,25 milion dollarë të dielën (e dielë 18 tetor 2015). Geri Zimet president dhe pronar i Moments in Time e mori këtë letër nga një kontakt, i cili e zbuloi në një magazinë në Bronks të Nju Jorkut. Zimet vendosi ta mbajë anonim emrin e personit.

“Është e jashtëzakonshme,”- tregon ai për Huffington Post. –“Unë nuk e kam shitur akoma, por jam i sigurt se është çështje kohe përpara se ta shes.”

malkolm

Letra rrëfen me hollësi një periudhë monumentale nga fundi i jetës së këtij aktivisti: pelegrinazhin e tij në Meke, një vit përpara se të vritej më 1965 në Nju Jork. Në fillim të letrës Malkolm X e përshkruan pelegrinazhin e tij (haxhin) si “ngjarjen më të rëndësishme në jetën e të gjithë muslimanëve”, dhe vazhdon me shpjegimet pse përvoja e tij është kaq iluminuese. Gjithashtu në letër Malkolm X sugjeron një zgjidhje për të zgjidhur marrëdhëniet raciale. Ky pasazh është veçanërisht goditës për t’u lexuar tashti, në një kohë kur Amerika vazhdon të përballet me racizmin. Ai shkruan:

Nëse amerikanët do të mund të pranonin Fenë Islame, nëse ata do të mund të pranonin Njësinë e Zotit (Allahut), ata gjithashtu do të mund të pranonin më pas sinqerisht Njësinë e Njerëzve (unikalitetin e njerëzve) dhe do të pushonin përgjithmonë duke i matur të tjerët në termat e “ndryshimit të ngjyrave”. Dhe me racizmin që po e torturon tashti Amerikën si një kancer i pashërueshëm të gjithë amerikanët që mendojnë, do të ishin më respektues ndaj Islamit si një zgjidhje tashmë e provuar për problemin e racës. Zezakun Amerikan nuk mund ta qortosh kurrë për “armiqësinë” e tij racore, sepse të tijat janë vetëm mekanizmat reagues dhe mbrojtës, e cila është inteligjencë e nënndërgjegjes, që e ka forcuar atë të reagojë kundër racizmit të ndërgjegjshëm i praktikuar nga Amerikanët e Bardhë (iniciuar kundër Zezakëve në Amerikë). Ndërsa ankthi i çmendur i Amerikës me racizmin e udhëheq atë në shtegun e vetëvrasjes, shumë pranë greminës që të çon në honin pafund aty poshtë, Unë besoj që të Bardhët e brezit më të ri në kolegjet dhe universitetet, nëpërmjet intelektit të tyre më të ri dhe më të hapur do të shohin në “Handwriting on the wall” (Shkrime në mur) dhe do të kthehen për një shpëtim shpirtëror drejt fesë së Islamit, dhe do ta detyrojnë brezin e vjetër të kthehen me to.”

Në lidhje me legjitimitetin e e kësaj letre Zahir Ali një historian oral, që ka shërbyer si menaxher projekti dhe hulumtues senior i Malcolm X Project në Universitetin e Kolumbias thotë se kjo letër është njësoj sikurse të jetë shkruar nga Malkolm X. “Bazuar në të gjitha ato që kam parë, shkrimin e dorës dhe konteksti, unë mund të them me shumë besim po, kjo letër është letra e tij,”- i tha ai Huffington Post. -“Përmbajtja është e qëndrueshme, kjo nuk është e pazakonshme. Ai ka qenë shumë pjellor.” Ali shpjegon, se pelegrinazhi në Meke ka pasur një efekt të thellë te Malkolm X dhe se ai ka dërguar shpesh letra rreth kësaj ngjarje, si një mënyrë për të përhapur mesazhin e tij.

Megjithatë Zahir Ali nuk beson se kjo letër duhet të jetë për shitje. “Unë nuk mendoj se ti mund t’i vendosësh një çmim asaj,”- shpjegon ai. “Edhe pse kjo është korrespondenca e tij, qëllimi i tij ka qenë që kjo të jetë në dispozicion të publikut.” Pavarësisht nga kjo Aliu beson në mesazhin e letrës që i drejtohet racës dhe religjionit, se është i kohës edhe sot.

“Sido që të jetë që kjo letër u shfaq, ajo u shfaq në kohën e duhur.”/ Tesheshi/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button