Xho Bajden vendos mos të kandidohet, ndërsa Xhim Ueb dhe Linkoln Çafi ndërprejnë kandidaturat e tyre. Kandidat demokrat për president të Amerikës do të jetë Hillari Klinton
Tre muaj para se votuesit e parë të hedhin votën e tyre në kaukuset e shtetit Ajova, gjithçka në garën demokrate për nominim të kandidatit të tyre presidencial duket se ka përfunduar. Megjithëse që në fillim të garës dukej se Hillari Klinton do të jetë kandidatja e pakontestuar, në garë të paktën formalisht kishte edhe katër kandidatë tjerë, ndërsa gjatë gjithë kohës si hije mbi sigurinë e saj qëndronte mundësia e kandidimit të nënkryetarit aktual Xho Bajden, i konsideruar si kundërkandidati më serioz i mundshëm i Klintonit.
Gjithçka ka ndryshuar brenda vetëm tre ditëve. Së pari garën e braktisi kandidati Xhim Ueb, pardje Xho Bajden njoftoi se ka vendosur mos të kandidohet fare, ndërsa sot nga gara e mëtejshme u tërhoq edhe Linkoln Çafi. Përderisa tërheqja e Ueb dhe Çafi nuk përbën ndonjë lajm të madh (ata kuotonin rreth 1% nëpër anketa), vendimi i Bajden ndryshon plotësisht lojën. Pikë së pari muajt e fundit ai ka patur një përkrahje mesatare jo të vogël prej 17%-20%, madje pa thënë se do të kandidohet. Me këto shifra ai do të mund të cenonte seriozisht Klintonin, duke u paraqitur si trashëgimtar i mirëfilltë i politikave të Obamës. Për më tepër Bajden dhe Klinton bëjnë pjesë në krahun e njëjtë të partisë demokrate, larg ekstremizmit të Sandersit. Kjo do të thotë se pjesëmarrja e tij në garë do të dëmtonte kryesisht Klintonin, duke i hapur rrugë Sandersit të triumfojë pa shumicë, por me pluralizëm (kur kandidati është i pari me vota, por nuk ka 50%). E gjithë kjo lojë tani bie në ujë dhe në periudhën përpara pritet që përkrahësit e Bajden të grumbullohen rreth Klintonit.
Me ndryshimet e kësaj jave fusha demokrate ngelet me vetëm tre kandidatë: Klinton, Sanders dhe O’Malli. Ndryshimet janë regjistruar menjëherë edhe në anketa dhe bastore. Ja shifrat e mbështetjes për Klinton dhe Sanders sot dhe para dhjetë ditëve:
SOT | Para dhjetë ditëve | |
Rejtingu mesatar sipas RCP | 48% – 26% | 43%-25% |
Rejtingu mesatar sipas HuffPost | 50%-24% | 48%-24% |
Gjasat sipas bastoreve, Predictwise | 89%-11% | 70%-11% |
Të gjitha shifrat, si dhe analizat kualitative të garës, çojnë në një përfundim të vetëm. Duke marrë parasysh se Martin O’Malli nuk ka arritur kurrë të tejkalojë 1% në anketa dhe duke marrë parasysh se Berni Sanders është e shumta një kandidat tematik – socialisti i vetëm në Kongres në një vend që akoma konsideron socializmin si tabu, gara demokrate për nomimin ka përfunduar. Tani, ende pa filluar votimet, me siguri të plotë mund të themi se kandidati demokrat për president të Amerikës do të jetë Hillari Klinton.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre