Site icon PORTALB

Pengesat kryesore për afrimin e Ballkanit perëndimor me BE-në është mungesa e stabilitetit të qëndrueshëm rajonal

Albert Ramadani

Albert Ramadani

Stabiliteti i rajonit ende qëndron mbi themele të paqëndrueshme dhe varet kryesisht nga mbështetja e Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë u bë e qartë se nuk ka BE për këto shtete pa stabilitet rajonal, dhe se për të janë të papranueshme politikat destabilizuese dhe që cenojnë edhe më shumë angazhimet ndërkombëtare për stabilitetin e rajonit që bart mbi vete një histori të gjatë konfliktesh dhe luftash. I dalë nga lufta të shumta, në të cilat u përzien parimet e lirisë, të së drejtës dhe të demokracisë, të legalitetit, me parimet e totalitarizmit, të hegjemonisë, të supremacisë dhe të ekskluziviteteve nacionale.

Ballkani perëndimor nuk po mund të konsolidojë veten dhe stabilitetin e tij. Po ndodh kështu për shkak të zhvillimeve të brendshme të secilit shtet, që ende nuk po e kalojnë tranzicionin politiko-institucional, si dhe efektet e luftërave që ndodhën; për shkak të kontesteve të mbetura mes tyre; për shkak të mos lirimit nga barra e një qasje dhe mendësie tradicionale ndaj njëri-tjetrit; për shkak të ndryshimeve të raportit të forcave në rajon; për shkak të konteksteve gjeopolitike e gjeostrategjike; për shkak të moskuptimit të drejtë dhe të duhur të parimeve mbi të cilat funksionon BE; për shkak të problemeve që ka vetë BE qoftë brenda saj, qoftë edhe ndaj zhvillimeve gjeopolitike e gjeostrategjike në botë. Për shkak të gjitha këtyre dhe faktorëve të tjerë.

Ballkani perëndimor vazhdon të ketë probleme dhe të ketë nevojë për një marrje me vetveten. Punën më të vështirë e ka ky rajon, i cili po ballafaqohet me të kaluarën e tij, me harmonizimin e saj me konceptet bashkëkohore të funksionimit të ligjit, të institucioneve dhe të shoqërive të ndryshme. Dhe kjo do të thotë që Ballkani perëndimor të mësohet të zgjidhë problemet me dialog dhe me bashkëpunim; që të respektojë dhe të thellojë të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve etnike, gjuhësore dhe fetare; të realizojë reforma të thella institucionale, politike, ekonomike dhe sociale që të jenë të gatshme të përballojnë sfidat që ka procesi i integrimit në BE, por edhe sfidat që paraqesin format e ndryshme të terrorizmit dhe të dhunës. Në këtë kuptim, BE vlerëson multikulturalizmin si qasje filozofike, edhe si realitet i një rajoni që ka vuajtur shumë nga ekskluzivitetet nacionale.

Në gjithë këto angazhime dhe sfida, rajoni ka pasur dhe ka ndihmën e BE-së, që ka angazhuar veten në aspektin diplomatik dhe ekonomik. Në aspektin diplomatik, BE ka filluar një proces anëtarësimi të këtyre shteteve këtë organizatë, kurse në aspektin ekonomik ka investuar miliarda euro në rajon. Po ashtu, BE u ka qëndruar afër dhe u qëndron afër shteteve të ndryshme për t’i ndihmuar në sundimin e ligjit, të reformave të nevojshme. Po ashtu, BE ka një angazhim të konsiderueshëm në dy baza të forta destabilizuese në rajon: në raportet Kosovë – Serbi dhe në Maqedoni për shkak se vazhdojnë të kenë probleme të mëdha edhe në fushën e sigurisë dhe të stabilitetit rajonal. Angazhimi kaq i madh i BE-së, që ka edhe ndihmën e madhe të SHBA-ve në këto dy vatra të mundshme destabiliteti, tregon sesa peshë dhe rëndësi ka që rajoni më në fund të qetësohet dhe të ketë një stabilitet të qëndrueshëm. Në këtë kuptim, edhe çështja e negociatave Kosovë – Serbi,  edhe stabiliteti i Maqedonisë nuk janë thjesht çështje e tyre, por janë çështje të BE-së dhe trajtohen nga ky i fundit si pjesë të procesit të paqtimit, të bashkëpunimit dhe të stabilitetit evropian dhe botëror.

BE po kërkon dhe po angazhohet edhe vetë që secili shtet të zgjidhë të gjitha problemet që kanë me njëri-tjetrin dhe brenda tyre, në mënyrë që të mos ketë çështje të pazgjidhura që mund të nxisin konflikte të reja. Prandaj, është e kuptueshme që BE të vlerësojë angazhimet serioze të secilit shtet në funksion të forcimit të bashkëpunimit rajonal, në funksion të stabilitetit rajonal; në funksion të respektimit të të drejtave të njeriut, të komuniteteve të ndryshme etnike, gjuhësore dhe fetare; në funksion të pengimit të ekstremizmave dhe ekskluziviteteve nacionale dhe fetare, por po ashtu BE nuk vlerëson, është kundër politikave destabilizuese në rajon, kundër përdorimit të retorikave nacionaliste dhe fetare në funksion të luftës politike dhe të destabilizimit të rajonit. Prandaj, BE ka adoptuar një qasje integriste rajonale që nënkupton një lloj integrimi rajonal si mënyrë të thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe të tejkalimit më të lehtë të vështirësive që kanë shtetet veç e veç dhe rajoni në tërësi përballë sfidave integruese evropiane.

BE po synon të shohë se si shtetet e rajonit janë në gjendje të sillen si evropianë ende pa u bërë pjesë e BE-së. Nismat e kancelares Merkel për shtete të Ballkanit perëndimor, është një nismë pikërisht në funksion të qasjes integriste rajonale. Dhe iniciativat dhe samitet e fundit kane marr përsipër që në emër të BE-së të mbështesë projekte që lidhin shtetet mes tyre me rrugë dhe hekurudha të ndryshme që do t’u shërbejnë këtyre shteteve, por edhe BE-së për lehtësim të qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave, pra edhe të ideve dhe koncepteve të ndryshme në kuadër të një mozaiku dhe diversiteti kulturor.

Dhe të gjitha këto në funksion të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të secilit shtet dhe të rajonit në tërësi. Në gjithë këtë proces, secili shtet ka përfitimet dhe detyrimet e tij që duhet t’i meritojë dhe realizojë me përgjegjshmëri të lartë. Në këtë pikë, janë edhe hilet e sllavo-ortodoksëve që provokojnë shqiptarët për t’i nxitur politikat destabilizuese rajonale për t’i paraqitur si faktorë destabiliteti rajonal. Edhe pse jo në masën e synuar, kjo strategji hileqare sllavo-ortodokse ka pasur rezultate negative për shqiptarët. Falë budallaçkave dhe etjes për pushtet të forcave të ndryshme politike, imazhi i shqiptarëve, por edhe raportet me BE-në dhe aleatët strategjikë janë cenuar ndjeshëm, dhe afrimiteti me Beogradin është rritur. Dhe këtë nuk e thonë vetëm zhvillimet brenda samitive të Evropës, por edhe në përgjithësi tonet që përdoren ndaj shqiptarëve.

Exit mobile version