10 fakte për kancerin e gjirit

Mamografia është një mjet i fuqishëm për zbulimin e kancerit të gjirit që në fazat e para, por nuk është 100%….

1. Ka lloje të ndryshme kanceri të gjirit Kanceri i gjirit, me fjalë të thjeshta, është një kancer që fillon të zhvillohet në qelizat e gjirit, por ai që ne e quajmë kancer të gjirit përfshin lloje të ndryshme kanceresh, secili prej të cilave kërkon kurime të ndryshme.

2. Një fryrje në gji nuk do të thotë gjithnjë se kemi të bëjmë me kancer të gjirit. Shumica e këtyre fryrjeve nuk kanë lidhje me kancerin e gjirit. Ato mund të jenë kiste, fibroza apo tumore beninje. Megjithatë, në një rast të tillë, është mirë të vizitoheni tek mjeku.

3. Kanceri i gjirit nuk shfaqet vetëm në formën e gungës. Forma të tjera të shfaqjes së kancerit të gjirit janë trashja e lëkurës në gji apo në pjesën e nën-krahut, fryrja, ngrohja, skuqja apo nxirrja e gjirit, ndryshimi i përmasave apo formës së gjirit, gropëzat apo rrudhat e krijuara në lëkurën e gjirit, një skuqje me kruarje e thithës së gjirit, një tërheqje në thithë apo në ndonjë pjesë tjetër të gjirit, një derdhje të papritur nga thitha apo dhimbje e vazhdueshme në një pjesë të gjirit.

4. Rreziku i kancerit të gjirit nuk lidhet gjithnjë me trashëgiminë familjare. Rastet e kancerit të gjirit në familjen tuaj, si nga ana e nënës, ashtu edhe e babait, mund të tregojë se ju jeni më të predispozuar se të tjerat për kancerin e gjirit, por nuk do të thotë se ju do të keni medoemos kancer gjiri. Mutacionet e geneve BRCA1 dhe BRCA2 janë të trashëguara, por përbëjnë vetëm 5 deri në 10% të rasteve të kancerit të gjirit.

5. BRCA1 dhe BRCA2 nuk do të thotë gjithmonë se në të ardhmen do të keni kancer gjiri. Lajmi se Angelina Jolie bëri një mastektomi të dy gjinjve për parandalimin e kancerit, pasi analiza e mutacionit të genit BRCA1 i doli pozitiv, nuk do të thotë medoemos se në të gjitha rastet zhvillohet kanceri i gjirit. Nëse keni mutacion të geneve BRCA1 apo BRCA2, rreziku juaj për kancerin e gjirit gjatë jetës është i lartë dhe tek gratë e predispozuara për kancerin e gjirit, ai zhvillohet në moshë të re. Vlerësohet se tek 55% deri në 65% e femrave me mutacion të genit BRCA1 dhe 45% e atyre me mutacion të genit BRCA2, zhvillohet kanceri i gjirit, ndërsa tek popullsia e zakonshme, kjo shifër arrin në 12%.

6. Jo të gjitha gratë kanë rrezikun një në tetë për zhvillimin e kancerit të gjirit. Kjo statistikë shumë e përmendur nuk është e saktë, pasi kanceri i gjirit varet nga shumë faktorë që lidhen me moshën, peshën dhe përkatësinë etnike. Shumica e rasteve të kancerit të gjirit ndodhin tek gratë tek të pesëdhjetat apo gjashtëdhjetat. Mbipesha apo obeziteti, gjithashtu mund të rrisin rrezikun e kancerit të gjirit, sidomos pas menopauzës, pasi indi yndyror është një burim estrogeni.

7. Ka mënyra për uljen e rrezikut të kancerit të gjirit. Nuk mund ta parandaloni kancerin e gjirit, por mund të ulni rrezikun tuaj personal. Nëse jeni mbipeshë apo obez, mund të ulni peshën tuaj në mënyrë të shëndetshme. Ushtrimet e rregullta, sidomos ecjet nga 75 deri në 150 minuta në javë ndikon në uljen e rrezikut. Kufizoni konsumin e alkoolit. Studimet kanë treguar se konsumi i dy e më shumë gotave alkool në ditë nga gratë rrit rrezikun e kancerit të gjirit. Dhe evitoni terapinë hormonale gjatë menopauzës, pasi estrogeni dhe progestina rrisin rrezikun e kancerit të gjirit.

8. Mamografia nuk është gjithçka. Mamografia është një mjet i fuqishëm për zbulimin e kancerit të gjirit që në fazat e para, por nuk është 100%. Ajo është shumë e efektshme tek gratë nga 50 vjeç e sipër, tek të cilat zbulon 83% të rasteve të kancerit të gjirit. Tek më të rejat, kjo shifër arrin në 78%, gjë që do të thotë se duhet bërë biopsia. Konsultohuni me mjekun për kohën kur duhet të filloni mamografitë e rregullta apo nëse keni simptoma që tregojnë se mund të keni kancerin e gjirit.

9. Kurimet e fertilitetit nuk e rrisin rrezikun e kancerit të gjirit. Dihet që kurimet hormonale mund të rrisin rrezikun post-menopauzë tek gratë, por këto kura nuk bëhen në mosha të tilla dhe zgjasin për një periudhë të shkurtër.

10. Shumica e grave i mbijetojnë kancerit të gjirit. Kanceri është i tmerrshëm, por në shumicën e rasteve, gratë e diagnostikuara me kancer gjiri mbijetojnë dhe bëjnë një jetë të shëndetshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button