Site icon PORTALB

Jo çdo tekst gjithmonë ia arrin të jetë lajm

[Recension: Sela i mban çadrën BDI-së]

Është e rëndësishme që publiku të dijë të bëjë dallimin mes një lajmi me peshë dhe një teksti që pretendon të jetë i tillë por nuk përmbush as standartet minimale për këtë. Më e lehtë për të dalluar një tekst që nuk ja vlen të merret si informacion me vlerë është që t’i kushtohet kujdes nëse ai përmban komente. Komentet e autorit, s’kanë asgjë të përbashkët me lajmin.

Linku deri te artikulli origjinal: Sela i mban Çadrën BDI-së!

Data dhe koha e publikimit: 18/10/2015

Data e recensionit: 18/10/2015

Recensuese: Ferikan Iljazi

Edhe ata që kanë patur ndonjë dilemë rreth rolit të Zijadin Selës, përfundimisht janë bindur se ky person është shndëruar në një simbol të poshtërsisë, bukëshkelësit, plaçkitësit, pabesisë dhe tradhëtisë, jo vetëm për shqiptarët në Maqedoni por edhe më gjërë…”

Kështu fillon një informatë ditore në një portal në kombinim me një fotografi tendencioze, manipuluese. Teksti aludon në tradhti të ish anëtarit të PDSH-së, tani kreu i Lëvizjes për Reforma në PDSH Zijadin Sela i cili ofendohet dhe cilësohet si “persona non grata” vetëm duke u bazuar në faktin se ka dalë nga PDSH-ja, apo sepse ka qëlluar në afërsi të ish kreut të Strugës Ramiz Merko, që sipas autorit është dëshmi e mjaftueshme se Sela ka pretendime të ju vardiset kuadrove të BDI-së. Siç mund të gjykohet nga çdo lexues, fotografia në asnjë moment nuk jep dëshmi se Sela i mban Çadrën BDI-së!” prandaj këto tekste duhet të merren me rezerva dhe me qëndrim kritik nga lexuesit.

Autori niset nga supozimi se të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit ndajnë mendimin e njëjtë me të për Zijadin Selën por nuk ka ofruar asnjë element kredibil për këtë pohim. Nuk ka marrë mendime qytetarësh apo ekspertësh politik edhe pse edhe ato nuk do të ishin të mjaftueshme që autori t’ia lejojë vetes të flasë në emër të një populli të tërë.

“Zijadin Sela e di se mallkimin që ka nga shqiptarët nuk do të mund ta shpëtoje as duke i mbajtur çadrën e as duke ia larë këmbët Ramiz Merkos apo kujto tjetër nga BDI. Duke mbajtur çadrat BDI-së e duke koketuar me Zaeva e Gruevska, Sela nuk do ti shpëtoje mallkimit, jo vetëm të struganëve por edhe të gjith shqiptarëve.

Teksti është i stërmbushur me gjuhë të urrejtjes, sharje dhe ofendime të ulëta që nuk janë të pëlqyeshme në publik, e jo më në një tekst që pretendon të  jetë lajm. Ofendimet shkojnë aq larg saqë rrezikohet edhe padia për shpifje dhe ofendim, apo për prishje imazhi.

“Sela para se të çmendet nga kjo vetmi e madhe që po e rrethon çdo ditë e më tepër, do të japë njëherë llogari. Pastaj si palaço i pafytyrë që është, mund t’i shërbejë BDI-së, t’u mbajë çadrat apo edhe ndonjë gjë tjetër, sepse karakteri i tij prej tradhëtari, të poshtri e të ligu, mund të përballojë të gjitha punët që BDI mund t’ia ngarkojë”

Për të pasur peshë, një lajm i tillë duhej të përmbajë të paktën një listë të dështimeve politike apo “tradhtive” që ka bërë ky personalitet por të gjitha të argumentuara me fakte konkrete. Një tekst i tillë për një personalitet konkret mund të shkruhet vetëm kur keni fakte në dorë, por gjithmonë duke ju përmbajtur standardeve minimale etike të gazetarisë por edhe njerëzve në përgjithësi pasi që degradimi dhe sharjet nuk arsyetohen as për individët e thjeshtë e lërë më për gazetarin.

Exit mobile version