[Recension: Kompetentët i zgjidhin problemet e qytetarëve]
Takimi koordinativ i kryeministrit me disa ministra, drejtorë të ndërmarrjeve publike dhe kryetarë të komunave (nga radhët e partisë në pushtet) është shfrytëzuar për një kronikë që ka për qëllim madhërimin e pushtetit – kryeministrit. Ky material nuk ka problem me vërtetësinë, burimet, e as me përmbajtësinë. Por, ka një ton lavdërues dhe krijon perceptim se qeveria kujdeset për qytetarët dhe është e përkushtuar për zgjidhjen e problemeve të tyre.
Data dhe koha e publikimit: 19.10.2015, 16:55
Data e recensionit: 19.10.2015
Recensuese: Оlivera Vojnovska
QEVERI QË KUJDESET!
Për çka, në fakt, bëhet fjalë?
Ngjarja (takim koordinativ në qeveri) e cila më së shumti meriton një lajm teknik prej disa reshtash, stërzmadhohet dhe paraqitet si kush e di se çfarë mbledhje ku janë zgjidhur problemet e rënda që i prekin qytetarët. Edhe pse, siç shihet nga vetë kronika, ka vetëm paralajmërim për fillimin e projekteve lokale.
Kështu, për shembull, është arritur marrëveshje të bëhet:
- pishinë për qytetarët e komunës së Shuto Orizares
- terren sportiv për shumë qëllime në Draçevë
- rikonstruim i rrugës për në Krillaticë dhe lidhja e saj me Kratovën, që do të realizohet nëpërmjet planit disavjeçar (deri në vitin 2018)
- përgatitja e projektit të ri për rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimit për Sopishten dhe Kisella Vodën
- rekonstruim i rrjetit të ujësjellësit për qytetarët e Lisiçes së Poshtme (deri në vitin 2019)
Domethënë, përkundër pasqyrës që prezantohet, bëhet fjalë për aktivitete që ende nuk kanë filluar, ndërsa realizimi i një pjese të tyre (ujësjellësit, rrjetit të kanalizimit dhe rrugës) do të zgjasë disa vite.
Për t’u theksuar është edhe ajo se inçizimet e shfaqura duken disi si artificiale. Veçanërisht inserti për planin dinamik sipas të cilit do të zhvillohet rikonstruimi i rrjetit të ujësjellësit në Lisiçe të Poshtme. Më saktë, diskutimi ndërmjet kryeministrit dhe drejtorit të “Ujësjellësit” (prej minutës 0,22 deri në minutën 0,55 të videos), ku bie në sy urdhëri i kryeministrit:
Bëjeni rrjetin primar dhe planin dinamik dhe deri në vitin 2019 të përfundohet i gjithë rrjeti, duke e përfshirë edhe atë sekondar!
Kështu që, shikuar nga aspekti profesional, mënyra e këtillë e përpunimit dhe e plasimit të informatave i jep një dozë të fuqishme të marketingut. Në fakt, e gjithë kronika më tepër i ngjan një spoti reklamues parazgjedhor të partisë në pushtet, se sa një produkti gazetaresk.