Site icon PORTALB

Davutoglu: Vërtetohet identiteti i njërit prej dy sulmuesve në Ankara

Ahmet Davutoglu

Kryeministri i Turqisë Ahmet Davutoglu tha se në bazë të analizës së ADN-së është vërtetuar identieti i njërit prej dy sulmuesve vetëvrasës të cilët kanë kryer sulmin terrorist në Ankara, raporton Anadolu Agency (AA).

Davutoglu tha se ekipet hetimore vazhdojnë të punojnë në identifikim e sulmuesit tjetër.

Në një fjalim televiziv Davutoglu tha se institucionet përkatëse turke do të zbulojnë dhe do të nxjerrin para drejtësisë të gjithë ata që ishin përfshirë në ekzekutimin e sulmit tragjik terrorist, të cilin ai e karakterizoi si sulm ndaj të gjithë Turqisë, popullit të saj dhe demokracisë.

“Janë marrë parasysh të gjitha lidhjet në mes të sulmeve terroriste në Suruc, Ankara dhe Dijarbakir dhe hetimet po zhvillohen në këtë drejtim. Pas të gjitha këtyre sulmeve qëndron DAESH, PKK, DHK/C dhe elemente të regjimit sirian, kur është fjala për sulmin në Reyhanli. Ne kemi vërejtur se ekziston një bashkëpunim në mes të atyre që duan të krijojnë kaos në Turqi. Të gjitha do t’i qartësojmë”, tha Davutoglu.

Duke komentuar mbi çështjen e krizës së refugjatëve në Evropë, Davutoglu tha se gjatë takimit të djeshëm me kancelaren gjermane Angela Merkel bëri të qartë se askush nuk mund të presë që Turqia të shndërrohet në qendër grumbullimi për gjithë refugjatët e botës. Ai shtoi se është e nevojshme që të krijohet një mekanizëm i përbashkët për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe trafikimin me njerëz.

Dy sulmues vetëvrasës të shtunën më 10 tetor, kryen një sulm terrorist para stacionit të trenit në Ankara, ku ishin mbledhur disa mijëra njerëz për të marrë pjesë në tubimin paqësor. Nga shpërthimet jetën humbën 99 persona, kurse disa qindra të tjerë u plagosën.

Forcat turke të sigurisë janë duke kryer një hetim të gjerë mbi autorët e sulmit dhe të gjithë personat e implikuar.

Njërin nga sulmet më tragjike terroriste në historinë moderne të Turqisë e dënuan zyrtarët e shumtë vendorë dhe botërorë, si dhe organizatat e shumta ndërkombëtare.

Exit mobile version