Site icon PORTALB

Reagime: Dështimet e VMRO-BDI-së nuk mbulohen me aksione policore

Foto nga aksioni policor

Foto nga aksioni policor

Pas aksionit të djeshëm policor në rajonet e Kumanovës dhe Shkupit, që rezultoi me 7 të arrestuar kanë reaguar partitë opozitare shqiptare në vend, raporton Portalb. Sipas tyre, ky pushtet i ka bërë shqiptarët fajtorë kujdestar dhe çdoherë kur pushteti dështon në politikbërje godet shqiptarët. Ata madje gishtin e drejtojnë kah bashkë-qeverisësit e VMRO-DPMNE-së, BDI, të cilët po lejojnë nëpërkëmbjen e shqiptarëve në Maqedoni.

Është stil i njohur veçmë i kësaj qeverie, ka thënë për Portalb deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare, Bekim Fazliu. Sipas tij, ekspeditat ndëshkuese policore ndaj shqiptarëve çdoherë ndodhin kur BDI është ngushtë politikisht.

“Shqiptarët duhet ta kenë të qartë se këto aksione policore i udhëheq Ali Ahmeti dhe BDI. Ky është çmimi që e paguajmë ne shqiptarët, që Aliu dhe BDI të qëndrojnë në pushtet. Është edhe më keq nëse këto aksione ja porosit VMRO-DPMNE dhe BDI lejon dhe bën aksione të tilla te shqiptarët”, tha Fazliu për Portalb.

Faton Aliti, zëdhënës i Partisë për Prosperitet Demokratik, vlerëson se qëllimi është për tu krijuar kriza të reja me qëllim që të stërgjatët Marrëveshja e Përzhinos.

“Është e mundshme që pushteti të shpikë arsye të ndryshme, që t’i japin të drejtë vetes t’i bëjnë këto aksione. Incizime e djeshme tregojnë ndërhyrjen brutale që thyejnë të drejtat elementare”, tha për Portalb Aliti.

Ai ka komentuar edhe qëndrimin e fundit të prokurorit publik Zvërlevski në raport me kushtetuetshmërinë e Prokurores speciale.

“Në këtë vijë e shohim edhe përzierjen e prokurorit Zvërlevskit, i cili jep të drejt vetes të interpretojë Kushtetutën dhe të shpallë jokushtetuese Prokurorinë speciale. Nëse Prokuroria speciale paska qenë jokushtetuese pse gjysmën e ndihmës prokurorëve e kane votuar. Ose votohet e tëra ose jo, kështu që kjo bie ndesh me deklaratën e Zvërlevskit”, sqaroi për Portalb Aliti.

Bilall Kasami, kreu i Lëvizjës BESA për Portalb thekson se në vazhdimësi shqiptarët janë paraqitur nga pushtetarët si njerëz të kriminalizum dhe njerëz që e rrezikojnë shtetin, andaj kur ju ka dashtë shtetit pretekst ai i ka pas paraprakisht shërbimet e përgatitura.

“Kujtoj vjedhjen zgjedhore më 2008 në rajonet shqiptare, pretekst ky që ishte me qëllim e njëjta të ndodh edhe nëpër vendet me shumicë maqedonase. Askush nuk e bisedon këtë. Kjo e njëjta vazhdoi edhe në ciklet tjera zgjedhore, shteti nuk merret me këso ngjarjesh por merret me konstruime të rasteve karshi shqiptarëve dhe kur ju duhet t’i shfrytëzojnë ato”, shprehet Kasami.

Ka reaguar edhe Lëvizja për reforma PDSH. Ata zotohen nuk do të lejojnë që shqiptarët të trajtohen si fajtor kujdestar sa herë që dikush dëshiron ti shmanget përgjegjësisë për krizën politike.

“Ju sigurojmë që Lëvizja për reforma PDSH do tu jep fund praktikave të montimit të proceseve ndaj shqiptarëve ditën që do të marrë legjitimitetin politik.” thuhet në kumtesën e LR-PDSH”, thuhet në kumtesën e tyre.

Sipas kësaj partie, institucionet shtetërore dhe qeveria nuk mund të shlyejnë dyshimet që ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë ishin një skenar i montuar.

Nga UNITETI thonë se në periudhë kur Maqedonia përballet me krizë politike, ekonomike, sociale dhe në saje të dështimeve të njëpasnjëshme të bisedimeve rreth arritjes së marrëveshjes për tejkalimin e ngërçit politik.

“Qeveria e Maqedonisë, respektivisht VMRO-DPMNE dhe BDI, duke dashur ta defokusojnë vëmendjen e popullatës rreth një krize edhe më të madhe politike që mund ta kaplojë Maqedoninë, vazhdon me urdhrat për arrestimin e shqiptarëve, respektivisht ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, madje arrestohen edhe invalidë”, theksohet në reagimin e partisë politike Uniteti.

Rilindja Demokratike Kombëtare në kontinuitet ka theksuar se vendi gjendet para një kaosi të vërtetë përshkak të mungesës së sundimit të ligjit në vend. Mungesa e sundimit të ligjit në të gjitha institucionet e shtetit, pa përjashtim, është duke shkaktuar një dëm me pasoja të rënda për vendin dhe shoqërinë në përgjithësi.

“Kjo mungesë e madhe e sundimit të ligjit ka ushqyer dhe vazhdon të ushqej grupe të ndryshme ekstreme dhe kriminale mbrenda dhe jasht institucioneve të vendit, me pasoja të rënda për vendin dhe rajonin. Duke patur parasysh se komuniteti ndërkombëtarë ka dhënë një investim të jashtëzakonshëm për këtë shtet në drejtim të sundimit të ligjit dhe stabilitetit të vendit, është koha e fundit kur ky komunitet duhet të intervenoj në mbrotje të këtij investimi kapital”, thuhet në reagimin e RDK-së./Portalb

Exit mobile version