Site icon PORTALB

Makiavelizëm perfid se jo mahi

Arbër Ademi

Arbër Ademi

Makiavelizmi (qëllimi i arsyeton mjetet), sikur asnjëherë më parë, është bërë pjesë përbërëse e politikës në Maqedoni dhe i njëjti po shërben si mekanizëm dhe instrument për plotësimin e qëllimeve egoiste të individëve dhe grupeve të ndryshme politike. S’do mend se elemente të politikës shqiptare (nëse mund t’i quaj shqiptare) krahas asaj maqedonase po bazohen në një makiavelizëm perfid, i cili nuk po zgjedh mjete për realizimin e qëllimeve të saja. Ky makiavelizëm megjithatë ka një bazë të vetëdijshme, sepse po mbështetet në një mjeshtëri tepër të rrallë për etiketimin e kundërshtarit edhe atëherë kur nuk ka argumente dhe fakte. Ky etiketim përfaqëson stadiumin e parë në ballafaqimin me kundërshtarin politik dhe se i njëjti po shfrytëzohet në tentativën për ta rrëzuar atë më pas.

E gjithë kjo veprimtari destruktive që po mbështetet në devizën “mendoj për të shkatërruar”, në opinion po manifestohet duke përhapur paragjykime me vetëdije të plotë, me qëllim të indoktrinimit të masës. Duke menduar se kriza politike i favorizon, gjegjësisht duke menduar se sistemi shoqëror po përjeton anarki, dezintegrim dhe disfunksionalizëm politik, ata pretendojnë se opinioni pa kurrfarë kriteri dhe kriticizmi do t’i pranoj këto paragjykime dhe etiketime.

Kjo gjendje depresive na e përkujton devizën hobsiane “homo homini lupus est” (njeriu për njeriun është ujk). Për fat të keq, disa veprime të qarqeve të caktuara politike po ngjasojnë me ato të egërsirave apo ujqërve dhe të njëjtat po ndërmerren nga dëshira dhe pasioni egoist i tyre për ta arritur një qëllim të caktuar politik. Zaten, edhe Hobsi thoshte se deri sa mbisundon egoizmi njerëzor çdoherë  në shoqëri do të kemi kundërshtime, ngatërresa, konflikte dhe luftëra. Ujku dëshiron mjegull thuhet në popull, e në anën tjetër edhe kundërshtarët e formacionit më të suksesshëm politik shqiptar në Maqedoni dëshirojnë mjegull, por kjo mjegull dhe errësirë është me përmbajtje politike me qëllim që të njëjtën ta shpërndajnë tek qytetarët dhe të rreshtohen në anën e tyre si “shpëtimtarë të devotshëm për rikthimin e shpresave të tyre”. Këta “misionarë” shpresojnë se populli do të pranoj gjithçka, përfshirë edhe argumentet boshe dhe pa mbulesë të renegatëve dhe kuazi politikanëve prapa së cilave qëndron realizimi i qëllimeve të tyre makiaveliste.

Për shqiptarët e pas luftës së 2001-shit kjo gjendje dhe këto veprime nuk janë aspak befasuese. Jemi mësuar ne që për bijtë më të mirë të kombit tonë të thuren konstrukcione nga më të çuditshmet, nga më perfidet. Të freskëta i kemi ngjarjet kur në oborrin e dikujt krejt “rastësisht” u gjetën dosje dhe për kë, për njerëzit që kanë kaluar ylberin me të bëmat e tyre në shërbim të kauzës shqiptare. Na i merr mendja se me çka duhet të përballet Ali Ahmeti për qëndrimet që mbanë, për mburrjen që demonstron duke i shërbyer kombit të vet. Mund t’i paramendojmë përpjekjet e tij për t’i sfiduar ujqërit dhe egërsirat në rrugën për të jetësuar idealet e të parëve. Njerëzit si ai, s’besoj të mos i kenë llogaritur goditjet e orkestruara nga qendrat armike të shqiptarëve, të ndihmuara edhe nga disa shqiptarë që kanë kaluar testin në laboratorët e tyre.

Të dashur miq, më thoni, a nuk është kështu? Më tregoni se në llogari të kujt po shkon ky fragmentarizim i skenës politike shqiptare? A mendoni se këtu nuk kemi të bëjmë me “inkurajime” të tipit të Pavle Trajanovit, si në rastin e PPD-së? Po konstruksionet tendencioze të eksponentëve të shërbimeve sekrete kundër disa personaliteteve tona kombëtare, për ç’qëllime po thuren? Po idetë për formacione politike multietnike dhe konceptet qytetare mashtruese? Po thirrjet e disa partive të vogla “shqiptare” për ta luftuar, shpartalluar dhe shkatërruar organizimin politik më të suksesshëm shqiptar? Nëse këto dhe shumë veprime të tjera nuk konsiderohen si aktivitete të një skeme për të dëmtuar indin politik shqiptar në Maqedoni, si do të konsideroheshin ndryshe?

Ne nuk jemi naiv për të mos e kuptuar lojën që po luhet. Duhet ta themi të vërtetën, pavarësisht nga kostoja që për të duhet të paguhet. Jam i bindur se shqiptarët përsëri do t’iu përgjigjen këtyre planeve dhe skemave, ashtu siç janë përgjigjur nga 2001-shi e këtej. Jam i bindur se shqiptarët në mënyrë plebishitare do t’iu përgjigjen gjithë atyre që po fërkojnë duart e po veprojnë në mënyrë të paskrupull në kurriz të tyre. Por, edhe politikanët të cilët kanë formim etiko-moral dhe intelektual janë të detyruar ta thonë të vërtetën para qytetarëve, pa e shtrembëruar atë. Aristoteli në këtë drejtim thoshte: “Amicus Plato, sed magis amica veritas” (E dua Platonin, por më tepër e dua të vërtetën).

Exit mobile version