Afera “Magjar Telekom”: fillimi i fundit, si u asgjësuan materialet për Maqedoninë

Dyshimi i parë për kryerjen e aktiviteteve jo-legale të biznesit nga Magjar Telekom në Maqedoni dhe Mal të Zi është paraqitur që në fillim të vitit 2006 gjatë kryerjes së revizionit të rregullt financiar nga kompania “PricewaterhouseCoopers.”

Sipas aktakuzës për këtë rast të ngritur nga Komisioni për letra me vlerë në SHBA, revizioni i rregullt ka gjetur dy marrëveshje të dyshimta për konsulentë. Menjëherë pas kësaj, është angazhuar kompania e avokatëve “White & Case” që ta hulumtojë rastin më detajisht. Nga frika se do të zbulohen, ish drejtorët e Magjar Telekomit, të cilët tani akuzohen para gjykatës amerikane për korrupsion, i kanë shkatërruar të gjitha dosjet në kompjuterët e tyre që kishin të bëjnë me Maqedoninë, shkruan Nova.TV, transmeton Portalb.

Por, avokatët amerikanë e kanë zbuluar këtë tentim për fshehje të rastit dhe përmes serverëve të Microsoft-it në SHBA, e kanë marr tërë korrespodencën së bashku me dokumentet komprometuese mes palëve të dyshimta në këtë rast.

“Fillimi i fundit erdhi në janar të vitit 2006 kur “PricewaterhouseCoopers”, shtëpia auditive e Magjar Telekomit, kishte dyshime për dy marrëveshje të bëra në Mal të Zi” thuhet në aktakuzë.
Fshirja e deshmive-Magjar Telekom

Sipas aktakuzës, avokatët e “White & Case” menjëherë pasi kanë arritur në Budimpeshtë, më 24 janar 2006 e kanë informuar drejtorin e përgjithshëm Elek Shtraub se dëshirojnë t’i kopjojnë të dhënat e kompjuterëve të drejtorëve Andrash Balog dhe Tomash Morvai. Pasi këto dy e kuptojnë se çfarë kërkojnë avokatët, Balog merr përsipër t’i fshijë të gjitha dosjet përmes programit online “Absoluteshield File Shredder” i cili premton se të gjitha dokumentet do të zhduken.

Fshirja e dokumenteve për Maqedoninë, sipas aktakuzës amerikane, ka filluar pasdite më 2 shkurt 2006 dhe ka zgjatur deri në orët e vona të natës. Andrash Balog atë pasdite “saktë në ora 15:41 e ka instaluar softuerin në kompjuterin e tij dhe për një orë dhe 15 minuta ka arritur që përgjithmonë të fshijë të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me Maqedoninë”, shkruan Nova.TV, transmeton Portalb.

Fshirja e deshmive-Magjar Telekom2

Më vonë, ditën e njëjtë, Balog i është lajmëruar Morvait dhe i ka sqaruar se edhe nga kompjuteri i tij duhet ti fshijë dokumentet që kanë të bëjnë me Maqedoninë. Morvai ia ka dhënë fjalëkalimin Balogut dhe ky i fundit ka shpenzuar 3 orë duke i fshirë dokumentet nga kompjuteri i Morvait deri në ora 22:13. Ai në fund e ka fshirë edhe programin nga kompjuteri me të cilin e i ka fshirë këto dosje. Balog dhe Morvai së bashku kanë punuar në “çështjen e Maqedonisë” duke mbajtur detyrën e njëjtë të fshehtë. Pasi i ka fshirë të gjitha gjërat ai e ka lajmëruar Shtraubin për ti treguar. Ky i fundit këtë aktivitet nuk e ka treguar para avokatëve të “White & Case” e as para komitetit të revizionit. Më vonë, në prill 2006, kur “White & Case” e kanë zbuluar rastin e fshirjes së dokumenteve, Shtraub ka thënë se “ka qenë shumë i nervozuar nga një akt i tillë”.

Organet hulumtuese të SHBA, për ti gjetur dëshmitë e nevojshme e kanë kontaktuar Microsoftin pasi që të dyshuarit e kanë përdorur shërbimin e tyre për postën elektronike Outlook ndërsa serverët përmes të cilëve kanë kaluar letrat e tyre elektronike kanë qenë në SHBA. Kështu ata i kanë marrë të gjitha korrespodencat dhe kanë gjetur dokumentet e dyshimta mes të dyshuarve dhe drejtorit të atëhershëm të Telekomit të Maqedonisë, Atila Sendrei, kryeministrit të atëhershëm të Maqedonisë Vllado Buçkovski si dhe këshilltarit të tij Jovan Pejkovski.

Custodian1 magjar telekom

Kështu, organet hetuese amerikane e kanë zbuluar versionin e parë të Protokollit sekret për bashkëpunim së bashku me dokumentin tjetër Non-pejpër (Non-paper) ku shkruhet edhe shuma e parave të destinuara për funksionarët e Maqedonisë, që janë dëshmi kyce në këtë skandal korruptiv. Sipas dokumentit që është shpërndarë vetëm mes tyre, me këtë Protokoll Magjar Telekom do të fitojë nga 37 deri 68 milionë euro shtesë për 4 vite, shkruan Nova.TV, transmeton Portalb.

“Pasi që bëhet fjalë për marrëveshje të realizuar ndër tavolinë, Protokollin nuk e kanë menduar si dokument zyrtar i cili do të vlejë para Gjykatave, megjithatë ky fakt nuk ia humb vlerën atij për domethënien që e ka për biznesin e Magjar Telekomit” shkruhet në aktakuzë.

Për përmbajtjen e këtij dokumenti është negociuar disa muaj dhe ai është nënshkruar zyrtarisht nha një drejtor i përgjithshëm dhe një kryeministër. Elek Shtraub që nga viti 2006 ka thënë se ky është “një dokument shumë i rëndësishëm” me anë të së cilit Telekomi “ka dhënë disa premtime para Qeverisë së Maqedonisë” dhe se “detyrimi i Magjar Telekomit t’i lëshojë paratë” ka qenë akt që e ka detyruar Qeverinë e Maqedonisë t’i përmbush gjithashtu detyrimet e saja ndaj kësaj kompanie.

Edhe pse ka qenë ky një dokument me rëndësi për kompaninë, ai është fshehur dhe nuk është regjistruar në arkiv të kompanisë, thotë Nikolas Kos nga kompania “PricewaterhouseCoopers” duke theksuar se “protokolli i bashkëpunimit është dashur të tregohet para auditorit por kjo gjë nuk është bërë”.

Protokolli i bashkëpunimit ka dy versione të njëjta. I pari i nënshkruar nga Elek Shtraub dhe Vllado Buçkovski dhe i dyti i nënshkruar nga atëbotë ministri i Transportit dhe Lidhjeve Xhemali Mehazi.

Kjo marrëveshje përmban katër obligime për Qeverinë e Maqedonisë dhe dy për Magjar Telekom. Me të, Qeveria detyrohet që ta kufizojë depërtimin e operatorit të tretë celular në vend, ta ulë çmimin e licencave, të jep pajtimin për ri-brendimin e kompanisë në T-Mobile si dhe ti miratojë aktet nën-ligjore të Ligjit për komunikime elektronike ashtu si që i ka propozuar Magjar Telekomi.

Nga ana tjetër, Magjar Telekom detyrohet që dega e tyre “Telekomunikimet e Maqedonisë” ta paguajnë dividendin për vitin 2004 në lartësi prej 95 milion euro. (Edhe pa marrëveshje, kompania detyrohet t’ia paguajë aksionarëve dividendin). Detyrimi i dytë ka të bëjë me pajtimin e Magjar Telekom se dega e tyre Mobimak “do ta zgjerojë rrjetin e saj në Kosovë” përmes një operatori virtual celular. Këtë detyrim të Protokollit sipas dëshmisë së Balog “asnjëherë nuk e kanë plotësuar dhe asnjëherë nuk kanë pasur në plan ta plotësojnë” shkruan Nova.TV, transmeton Portalb.

Sipas, dokumentit tjetër Non-Pejpër, parashihen të paguhen 7,5 milionë euro në tre këste: “2,5 milionë euro në ditën e nënshkrimit të Protokollit; 2,5 euro deri më 30 dhjetor të vitit 2005 dhe 2,5 euro në qershor të vitit 2006.” Nga këto 7,5 milion euro, një e treta ka qenë e siguruar për Buçkovskin (“përfaqësues i palës A”) dhe 5 milionë të tjerë për dy politikanët më të fuqishëm shqiptar në Maqedoni, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi (të shkruar në dokument si “shokët nga Tetova A.A. dhe M.Xh.”).

Nga përmbajta e dokumentit Non-Pejpër, duket se pagesat janë kryer me “marrëveshje për konsulentë” përmes kompanisë “Çapteks” në pronësi të grekut Dimitris Kondominas.
Kondominas, përndryshe, filloi ndërtimin e njërës nga ndërtesat baroke në qendrën e Shkupit, të cilat janë pjesë e ri-veshjes së qytetit me projektin “Shkupi 2014”. Ai posedon edhe biznese të tjera të leverdishme në Maqedoni.

Konsultant magjar telekom

Edhe pse MPB e Maqedonisë ka ngritur kallëzim kundër katër shtetas të huaj për aferën Telekom në vitin 2008, rasti asnjëherë nuk mori epilog gjyqësor. Kallëzimi është ngritur kundër: ish drejtorëve të përgjithshëm dhe financiar të Telekomunikimeve të Maqedonisë, Atila Sendrei dhe Rolf Plat; kryetarit të bordit drejtues të drejtorëve të kompanisë “Kamenimost komunikacii”, Zolltan Kishijhus si dhe kundër drejtorit të kompanisë “Çapteks Holldings”, Mihalis Qefalojanis. Më vonë Qefalojanis është përjashtuar nga aktakuza.

Rasti i aferës së Telekomit në Maqedoni bëri bujë para rreth një muaji me dëshminë e dhënë të ish drejtorit të agjencisë për zbulim Sllobodan Bogoevski para Gjykatës amerikane në të cilën ai detajisht i sqaron  veprat korruptive që ka pasur në rolin e këshilltarit të Dimitris Kondominas. Më pas, prokuroria publike në krye me prokuroren Lile Stefanova ka nisur hetimin e rastit si dhe ka thirrur Bogoveskin të jep dëshmi para organeve hetuese, Nova.TV, transmeton Portalb. Dëshmia gjendet në anglisht në këtë link.

Afera Telekom përmendet edhe në materialet e përgjuara apo “bombat” e liderit të opozitës, Zoran Zaev, kështu që rastin mund ta merr në hetim prokurorja speciale Katica Janeva.

Konsultant2

Lajme të ngjashme

Back to top button