Site icon PORTALB

Njihuni me kandidatët republikanë për president të Amerikës

Kandidatët republikanë

Kandidatët republikanë

Si datë joformale e fillimit të garës republikane mund të merret 6 gushti kur kandidatët u përballën në debatin e parë të garës. Atëherë në garë ishin 17 kandidatë, dy prej të cilëve tanimë kanë braktisur garën. Më poshtë është lista e kandidatëve me të dhënat a garës nga 6 gusht, gjegjësisht një përshkrim i shkurtër i kandidatit, mosha, rejtingu mesatar i llogaritur nga RealClearPolitics (RCP) me 5 gusht, fondet që kishte mbledhur fushata deri më 31 Korrik dhe fondet që kishin mbledhur shoqatat që mbështesin kandidatët (Super PAC – Political Action Committee). Në kllapa është emri i kandidatit në origjinal në anglisht.


DONALD TRAMP (Donald Trump)

Biznismeni i njohur nga Nju Jorku ka vendosur të kandidohet si republikan edhepse deri në vitin 2009 ka qenë i regjistruar si demokrat. Momentalisht ai udhëheq garën, megjithëse ka bërë një seri gafesh që kur u kandidua. Ende nuk është e qartë se nga cila pjesë e partisë ka përkrahje, por definitivisht nuk është në linjë me establishmentin republikan.

Mosha: 69
Rejtingu mesatar: 23.2%
Fondi i fushatës: 1.9 milionë
Fondi i Super PAC: 0
Fondi total: 1.9 milionë


XHEB BUSH (Jeb Bush)

Vëlla i presidentit të 43-të Xhorxh W. Bush dhe bir i presidentit të 41-të Xhorxh H.W. Bush, ish-guvernator i shtetit të Floridës. Llogaritet si kandidati më serioz dhe me mbështetje më të madhe nga establishmenti republikan. I favorizuar i establishmentit dhe krahut të moderuar të partisë.

Mosha: 62
Rejtingu mesatar: 12.8%
Fondi i fushatës: 11.4 milionë
Fondi i Super PAC: 108.5 milionë
Fondi total: 120 milionë


SKOT UOKER (Scott Walker)

Guvernator i shtetit Uiskonsin. U bë i njohur si republikan që ka fituar tre herë rradhazi në një shtet kryesisht demokrat. Brenda partisë e konsiderojnë si hero pasi shtypi me sukses sindikatet e fuqishme publike në shtetin e tij. Gjen mbështetje nga disa krahë të partisë si ajo konzervative, krishtere evangjeliste, ashtu pjesërisht edhe nga establishmenti. Konsiderohej si një nga kandidatët më seriozë që mund të garonte kundër Bushit, por braktisi garën pas debatit të dytë për shkak të problemeve financiare.
Mosha: 47
Rejtingu mesatar: 10.6%
Fondi i fushatës: 0 milionë
Fondi i Super PAC: 26.2 milionë
Fondi total: 26.2 milionë


MAJK HAKABI (Mike Huckabee)

Ish-guvernator i shtetit Arkansas dhe klerik i krishterë evangjelist. Pati kandidim të pasuksesshëm në vitin 2008, e më pas vazhdoi karrierën si analist në Foxnews. Mbështetjen kryesore e ka nga krahu i krishterë evangjelist i partisë.

Mosha: 59
Rejtingu mesatar: 6.6%
Fondi i fushatës: 2 milionë
Fondi i Super PAC: 4.5 milionë
Fondi total: 6.5 milionë


BEN KARSON (Ben Carson)

Zezaku i vetëm në këtë garë nuk ka përvojë paraprake politike. Është neurokirurg i pensionuar, i njohur si kritik i ashpër i Obamës. Nga një përballje e ashpër me të fitoi famë nacionale, gjë që i dha shtytje për të hyrë në garë. Ka mbështetje nga krahu konzervativ edhe ai evangjelist.

Mosha: 63
Rejtingu mesatar: 6.6%
Fondi i fushatës: 10.6 milionë
Fondi i Super PAC: 0.2 milionë
Fondi total: 10.8 milionë


TED KRUZ (Ted Cruz)

Senatori i zjarrtë nga Teksasi njihet si njëri nga figurat më ekstreme të partisë republikane. Ai është favorit i krahëve konzervativë dhe të krishterë të partisë pasi ka qëndrime tejet të djathta në çdo çështje, si ato sociale, ekonomike apo të mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Sidoqoftë mendohet se mund t’u sjellë vota shtesë republikanëve për shkak të prejardhjes kubane.

Mosha: 44
Rejtingu mesatar: 6.2%
Fondi i fushatës: 14.3 milionë
Fondi i Super PAC: 38.1 milionë
Fondi total: 52.5 milionë


MARKO RUBIO (Marco Rubio)

Senator nga Florida me prejardhje kubane. Për shkak të moshës së re konsiderohet si e ardhmja e partisë. Për republikanët është atraktiv pasi mund të sjellë në parti votën tejet të nevojshme latine. Hendikep është mosha e tij e re. Ka mbështetje nga establishmenti.

Mosha: 44
Rejtingu mesatar: 5.2%
Fondi i fushatës: 8.9 milionë
Fondi i Super PAC: 33.1 milionë
Fondi total: 42.0 milionë


REND POL (Rand Paul)

Senator nga Kentaki. Bir dhe pasues i kongresmenit legjendar libertarian Ron Pol, i cili u kandidua për herë të fundit në 2012. Vazhdon rrugën libertariane të babait, me shpresë se mund të trashëgojë votuesit e tij dhe të zgjerojë edhe më rrethin e përkrahësve me mesazhe paksa më të zbutura centriste republikane. Ka mbështetje dominante nga krahu libertarian i partisë.

Mosha: 52
Rejtingu mesatar: 4.8%
Fondi i fushatës: 6.9 milionë
Fondi i Super PAC: 6.9 milionë
Fondi total: 13.8 milionë


KRIS KRISTI (Chris Christie)

Guvernator i shtetit Nju Xhersi, një tjetër republikan që ka fituar disa herë me rradhë në shtet me prirje kryesisht demokrate. Ka mbështetje nga krahu i moderuar dhe deri diku nga establishmenti republikan.
Mosha: 52
Rejtingu mesatar: 3.4%
Fondi i fushatës: 0 milionë
Fondi i Super PAC: 14 milionë
Fondi total: 14 milionë


XHON KASIÇ (John Kasich)

Guvernatori me prejardhje kroate i Ohajos. I njohur me stilin direkt dhe të hapur, është i fundit që u kandidua në rradhët e republikanëve. Për ta është tërheqës si njeri që në zgjedhjet e përgjithshme mund të fitojë demokratët në shtetin tejet kyç të Ohajos. Ka mbështetje nga krahu i moderuar dhe nga establishmenti.

Mosha: 63
Rejtingu mesatar: 2.8%
Fondi i fushatës: 0 milionë
Fondi i Super PAC: 11.7 milionë
Fondi total: 11.7 milionë


RIK PERI (Rick Perry)

Ish-guvernator i Teksasit. U kandidua në vitin 2012 dhe për një kohë udhëhiqte garën. Atëbotë kampanja i mori teposhtën nga një gaf që bëri në debat, kur nuk mund të emëronte të tre ministritë që premtonte t’i mbyllë si president. Ka mbështetje të krahut konzervativ dhe atij të krishterë evangjelist. U rikandidua në 2015 si kandidat më i pjekur, por në mungesë të fondeve la garën para debatit të dytë.

Mosha: 65
Rejtingu mesatar: 2.0%
Fondi i fushatës: 1.1 milionë
Fondi i Super PAC: 13.8 milionë
Fondi total: 15.0 milionë


RIK SANTORUM (Rick Santorum)

Ish-senator nga Pensilvania. Në vitin 2012 i bëri betejën më të ashpër për kandidim Mit Romnit, duke u rradhitur në fund i dyti. Ka mbështetje nga krahu konzervativ dhe sidomos nga ai i krishterë.

Mosha: 57
Rejtingu mesatar: 1.4%
Fondi i fushatës: 0.6 milionë
Fondi i Super PAC: 0.3 milionë
Fondi total: 0.9 milionë


BOBI XHINDAL (Bobby Jindal)

Guvernator i Luizianës. Është me prejardhje hinduse dhe si i tillë mendohet se mund të afrojë drejt republikanëve votën e pakicave. Mosha e re e bën të konsiderohet si e ardhme e partisë. Njohës i mirë analitik i politikave, ka mbështetje nga krahu i krishterë dhe deri diku nga establishmenti.

Mosha: 44
Rejtingu mesatar: 1.2%
Fondi i fushatës: 0.6 milionë
Fondi i Super PAC: 8.7 milionë
Fondi total: 9.3 milionë


KARLI FIORINA (Carly Fiorina)

Femra e vetme që kandidohet këtë rradhë tek republikanët. Nuk ka përvojë politike, por është e njohur si biznismene e suksesshme që një kohë ka udhëhequr gjigantin e IT-së Hewlet Packard. Në fushatë kryesisht sulmon Hillari Klintonin. Është e moderuar dhe ka mbështetje edhe nga establishmenti.

Mosha: 60
Rejtingu mesatar: 1.0%
Fondi i fushatës: 1.7 milionë
Fondi i Super PAC: 3.5 milionë
Fondi total: 5.2 milionë


LINDSI GRAHAM (Lindsey Graham)

Senatori nga Karolina e Jugut është skifter i njohur i politikës së jashtme amerikane. Adut kryesor në garë e ka njohurinë e gjerë në çështjet e mbrojtjes dhe politikës së jashtme, që mund të jetë temë e rëndësishme për shkak të krizës në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë. Ka qëndrime kryesisht në vijë me establishmentin.

Mosha: 60
Rejtingu mesatar: 0.4%
Fondi i fushatës: 3.7 milionë
Fondi i Super PAC: 2.9 milionë
Fondi total: 6.6 milionë


XHORXH PATAKI (George Pataki)

Ish-guvernatori i Nju Jorkut është ndoshta kandidati më i moderuar nga republikanët, nisur nga fakti se ka mundur të fitojë në një shtet thellësisht demokrat si Nju Jorku. Ka pak gjasa për t’u nominuar pasi ka qenë gjatë kohë jashtë politikës dhe jashtë rretheve republikane.

Mosha: 70
Rejtingu mesatar: 0.0%
Fondi i fushatës: 0.3 milionë
Fondi i Super PAC: 0.9 milionë
Fondi total: 1.2 milionë


XHIM GILMOR (Jim Gilmore)

Ish-guvernator i Virxhinisë, një nga kandidatët më periferalë të kësaj gare. Ka qëndrime të moderuara dhe në vijë me establishmentin.
Mosha: 65
Rejtingu mesatar: 0.0%
Fondi i fushatës: pa deklaruar
Fondi i Super PAC: pa deklaruar
Fondi total: 0 milionë

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Exit mobile version