Site icon PORTALB

Dënime për sulmin terrorist në Ankara vijnë nga e gjithë bota

Sulmi terrorist në Ankara

Presidenti francez, Francois Hollande, në një bisedë telefonike dërgoi ngushëllimet e tij Presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e sulmit të sotëm terrorist në kryeqytetin turk, Ankara, ku humbën jetën të paktën 86 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve të afërta me Presidencën e Turqisë, Hollande, gjat bisedës telefonike me Erdogan, ka dënuar sulmin terrorist dhe shprehu keqardhje të thellë për këtë ngjarje tragjike, duke theksuar se ofron mbështetjen e tij për Turqinë në këto momente të vështira.

– Steinmeier: Sulmi ndaj procesit demokratik në Turqi –

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, ka dënuar sulmin terrorsit në Ankara. Në një deklaratë me shkrim, Steinmeier thekson se ky sulm brutal dhe terrorist, mbi pjesëmarrësit e protestës paqësore, në të njëjtën kohë është një sulm edhe ndaj procesit demokratik në Turqi.

“Dënojmë ashpër këtë sulm”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier, duke shtuar se autorët e sulmit përhapin frikën dhe duan të ngjallin urrejtjen para zgjedhjeve në Turqi në mënyrë të hapur.

Steinmeier tha se ai beson që demokracia, e cila është e rrënjosur thellë në shoqërinë turke, do të përballojë dhe do të kapërcejë këtë sulm.

Presidenti i Azerbejxhanit, Ilham Alijev gjithashtu e dënoi sulmin terrorist që tronditi Ankaranë këtë mëngjes, dhe dërgoi një mesazh ngushëllimi Presidentit Erdogan, familjeve të viktimave dhe të gjithë qytetarëve të Turqisë.

– Hammond: Britania e Madhe, me popullin turk –

Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond, tha se është prekur thellë nga sulmi terrorist këtë mëngjes në stacionin kryesor hekurudhor në Ankara.

“Unë jam i tronditur thellë nga sulmet brutale në Ankara. Zemra ime është me familjet e të vrarëve dhe të plagosurve. Britania e Madhe është me popullin turk”, thuhet në shënimin e Hammond në rrjetin social Twitter.

Denime dhe mesazhe ngushëllimi në lidhje me sulmin terrorist në Ankara, mbërritën edhe nga Ministritë e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Pakistanit, Afganistanit, si dhe nga një numër i madh OJQ-ve në mbarë botën.

Akoma nuk është konfirmuar shkaku i saktë i shpërthimit, por disa dëshmitarë okularë thanë se kanë parë dy shpërthime të njëpasnjëshme dhe se ekziston mundësia që kjo të jetë sulm vetëvrasës, i cili ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Shpërthimi ndodhi në vendin ku sot pritej të fillonte një marshim protestues nën moton “Për inat të luftës, tani duam paqe. Paqe, punë, demokraci”, i cili u anulua për shkak të shpërthimit. Ndërkohë nga shpërthimi janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale.

Exit mobile version