Site icon PORTALB

Alsat-M: Përgjohen Grupet e punës?!

Klubi i Deputetëve ku mbahen takimet e grupeve punuese

Disa nga pjesëmarrësit në bisedimet politike në Klubin e Deputetëve në Shkup shprehin dyshime se hapësirat ku zhvillohen bisedimet, përgjohen dhe xhirohen nga pushteti. Madje, ALSAT M mëson nga burime të ndryshme brenda bisedimeve, se edhe ndërmjetësi i deleguar nga Komisoni Evropian Piter Vanhautte ka reaguar ashpër disa ditë më parë, duke fajësuar përfaqësuesit e partisë maqedonase në pushtet për regjistrimin e paligjshëm të zyrave ku zhvillohen bisedimet.

Televizioni Alsat M kontaktoi sot edhe ndërmjetësin Vanhautte për të konfirmuar këto burime, por deri në këtë moment, lajmi as është konfirmuar dhe as është mohuar. Përfaqësuesit e partive në bisedime, nga ana tjetër, nuk e mohojnë përplasjen që ka pasur Vanhautte dhe përfaqësuesit e pushtetit për çështjen e përgjimit të mundshëm të Klubit të Deputetëve, por nuk dëshirojnë të japin komente shtesë. Ajo që konfirmohet nga pjesëmarrësit, është se që nga fillimi i bisedimeve për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos, në Klubin e Deputetëve hasen fenomene të ndryshme të natyrës teknologjike.

Para dy ditësh, për shembull, telefonat celularë të pjesëmarrësve në bisedime kanë qenë jo-funksionalë për shkak të problemeve me rrjetin, gjë që ka pamundësuar koordinimin e negociatorëve me krerët e partive të tyre, për rrjedhën e bisedimeve. Dyshimet për përgjimin e hapësirave të bisedimeve, sipas burimeve tona, kanë bërë që bisedat bilaterale mes disa partive dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë të zhvillohen në këmbë, duke ecur përgjatë kopshtit të Klubit të Deputetëve.

Për të gjitha këto dyshime dhe indikacione, televizioni Alsat M tentoi të kontaktonte edhe përfaqësuesit e VMRO DPMNE-së në bisedime, por pa sukses deri tani.

 

Exit mobile version