Qytetarët e Kumanovës tashmë për kohë të gjatë përballen me mungesën e parkingjeve. Ashtuqë detyrohen t’i parkojnë veturat kudo, përfshirë edhe rrugët e kalueshme për vetura po edhe trotuaret, çka jo vetëm që i jep një pamje të shëmtuar qytetit, por edhe shkakton probleme në trafik. Nga komuna njoftojnë se është në plan ndërtimi i një tregu të ri me garazhë, pasi aktualisht kaosi më i madh duket rreth Tregut të Gjelbër, si një nga vendet më të frekuentuara.
Portalb ju sjell disa pamje të qytetit në një ditë të zakonshme, me fotografitë e mëposhtme dhe videon në vijim:
Portalb i pyeti qytetarët pse i kishin parkuar veturat nëpër rrugë: “Nëpër rrugë i parkojmë sepse nuk ka parking as me pagesë e as pa pagesë. I vetmi parking në këtë zonë është ai te Tregu i Gjelbër, që nuk ka hapësirë as për 20 vetura. Ndërsa Tregu i Gjelbër është vendi më i frekuentuar i qytetit, ku furnizohemi për çdo ditë për nevojat tona, nuk kemi ku t’i parkojmë veturat: Duhet t’i bartim të gjitha gjërat, pavarësisht sa të rënda mund të jenë e sa larg mund ta kemi parkuar veturën… Në zonat e banuara me maqedonas ka edhe nëpër rrugë vende të ndara për parking me pagesë, por edhe parkingje të veçanta.”-deklaroi për Portalb, Ismet Aliti, i cili konfirmoi se nevoja për parkingje është shumë e madhe.
E pyetur pse ka kaos nëpër rrugët e qytetit, Lidija Lang Spasovska udhëheqëse e Sektorit për urbanizëm, aktivitete komunale dhe mbrojtjen e ambientit jetësor dhe natyrës u shpreh: “Unë nuk kam parë kaos nëpër rrugë. Trafiku është i rregulluar, ndoshta për shkak se qytetarët nuk e respektojnë mund të ketë kaos… Pra është rregulluar trafiku i pritjes dhe trafiku i lëvizjes, ka parkingje zonale, janë të rregulluara rrugët një-kahëshe ashtuqë nuk do të duhëj të kishte kaos nëpër rrugë.” “Vlerësoj se ka parkingje të mjaftueshme. Sikur njerëzit t’i parkojnë veturat aty ku paguhet nuk do të kishe kaos, por ata tentojnë t’i ikin pagesës dhe i parkojnë nëpër rrugë, prandaj krijohen probleme në trafik.”-tha ajo.
“Komuna ka bërë diçka, mbase jo gjithçka… Në planin më të detajuar urbanistik është parashikuar ndërtim i tregut të ri, në vendin ku është tregu i sotshëm, që do të ketë garazhë në katin përdhesë.”– tha për Portalb Lang, rreth pyetjes se a ka bërë komuna diçka deri më tani, a ka ndonjë plan dhe a pritet të ndërmirret ndonjë hap. Por ajo nuk sqaroi se kur do të fillojë të ndërtohet ky treg i ri, “Nuk e dij kur, kur do të kemi para”-tha, pa qartësuar as se për kur është planifikuar të ndërtohet tregu për të cilin fliste./Portalb.mk