Site icon PORTALB

Rusia lëshon 26 raketa nga luftanijet në detin Kaspik

Luftanijet ruse drejtë kufirit siriAN

Luftanijet ruse

Pas sulmeve ajrore me avionë luftarakë mbi Siri, Rusia ka nisur këtë të mërkurë edhe goditjen e objektivave të Shtetit Islamik në Siri me anë të raketave të lëshuara nga luftanijet e vendosura në detin Kaspik, 1500 km larg.

Lajmi është konfirmuar nga ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i cili tha se 4 luftanije kanë lëshuar 26 raketa me baza në det ndaj 11 objektivave të grupit xhihadist, duke i shkatërruar ato, transmeton TCH.

Në një njëjtën kohë, siç raportohet, trupat tokësore siriane kanë nisur një ofensivë nën mbrojtjen ajrore nga Rusia në terren, por pa përcaktuar objektivin e këtyre të fundit, nëse janë sërish xhihadistët e ISIS, apo edhe rebelët opozitarë.

Rusia mohon gjithsesi pretendimet se sulmet ajrore njëjavore të saj kanë goditur kryesisht objektiva që s’kanë të bëjnë me ISIS-in, por ato të rebëlëve sirianë të trajnuar nga SHBA-të për të rrëzuar Presidentin Bashar al-Assad nga pushteti.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi në lidhje me “luftimet më intensive prej muajsh të tërë” që po zhvillohen në provincat e Hamas dhe Idlibit. Përplasjet e fundit kanë ardhur pas valës së sulmeve ajrore ruse në të njëjtat zona.

Sa u përket sulmeve të sotme, duket se këto janë të parat të bashkëkoordinuara që prej fushatës së njëanshme ajrore të Rusisë, një aleate e flaktë e presidentit sirian, që nisi më 30 shtator.

Rusia bën të ditur se po shënjestron “të gjithë grupet terroriste”, pavarësisht se të paktën disa prej këtyre sulmeve kanë goditur – sipas raportimeve – civilët dhe rebelët e mbështetur nga Perëndimi.

Exit mobile version