Site icon PORTALB

SHTETASI I MIRË NË SHTETIN E KEQ

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Është vështirë të jesh shtetas i mirë në shtetin e keq. Shtetasi i mirë i respekton ligjet në shtetin që i nëpërkëmb ato. Nuk gënjen në shtetin që gënjen. Nuk ofendon në shtetin ofendues që ofendon. Nuk mashtron në shtetin mashtrues që mashtron. Nuk vjedh në shtetin që vjedh.

Shtetasi i mirë është i qetë në shtetin e egër që dhunon e vret. Është parimor në shtetin që nuk njeh asnjë parim. Është i drejtë në shtetin që është i padrejtë ndaj tij. Është taksapagues në shtetin që keqpërdor taksat qytetare. Është miqësor në shtetin që stimulon armiqësitë.

Shtetasi i mirë e respekton sferën publike, por ajo është e kontrolluar. E koncepton të shenjtë sferën personale, ku shteti i keq aty i fut hundët. Është i ndershëm, aty ku pandershmëria është bërë kod i pëlqyer. Nuk është hipokrit, aty ku stimulohet hipokrizia. Kërkon barazi për të gjithë, aty ku stimulohet pabarazia.

Shtetasi i mirë i respekton të gjitha kombet, aty ku stimulohen dominimet kombëtare. I respekton të gjitha kulturat, aty ku stimulohen dominimet kulturore. I respekton të gjitha gjuhët, aty ku stimulohen dominimet gjuhësore. I respekton të gjitha religjionet, aty ku stimulohen dominimet religjioze.

Shtetasi i mirë synon të jetë i ditur, aty ku stimulohen injorantët. E do arsimimin e të gjithëve, aty ku botohen libra ofendues për të. Angazhohet për media të lira, aty ku mbyllen media e rrihen gazetarë. Dëshiron të kontribuojë në profesion, aty ku privilegjohet mediokri ose ai që mediokritizohet. Kërkon autonomi sferash shoqërore, aty ku janë uzurpuar e dirigjohen të gjitha sferat nga të fortët.

Shtetasi i mirë ka pak gjasa mbijetese në shtetin e keq. Të jesh i mirë në shtetin e keq do të thotë të jesh i krisur, i rrezikshëm, i papërshtatshëm.

Në këtë “sistem” bota u përket hafijeve që përgjojnë, të pandershmëve që “përparojnë”, hajnave që pasurohen. Bota u përket makutëve që shesin gjithçka dhe nuk fryhen me asgjë.

Për shtetin e keq je shtetas i mirë nëse vjedh, nëse nënshtrohesh, nëse je hipokrit, je rob, nuk konteston gënjeshtrën, padrejtësinë, mashtrimin, nuk e denoncon vjedhjen, pabarazinë, paaftësinë.

Shtetasi i mirë në shtetin e keq duhet të përballet me dilemën: të ngulmojë për ndryshimin e shtetit të keq apo të bëhet shtetas “i përshtatshëm” për të mbijetuar. Se shteti i keq tenton ta bëjë të keq edhe shtetasin më të mirë.

Shteti i keq e manipulon edhe të kaluarën, sepse e pengon kujtesa. E dëmton arsimin, sepse dëshiron të “prodhojë” shtetasin e keq. E dëmton shëndetësinë, sepse dëshiron shtetasin e sëmurë.  E shkatërron ekonominë, sepse e dëshiron shtetasin që kënaqet vetëm me bukën e përditshme. I uzurpon gjykatat, sepse e dëshiron shtetasin kokulur. E forcon policinë, sepse e do qytetarin e frikësuar. I mbyll mediat, sepse e do shtetasin e manipuluar.

Shteti i keq është antihuman, antihistorik, antikulturor.

Shtetasi i mirë, megjithatë, duhet të besojë në atë që tha Beketi: “Çdo mur është një portë!” Ai duhet të vazhdojë kundërshtimin e së keqes. Sa më shumë ligështohet dhe bëhet asnjanës, aq më pak i ka gjasat që të mbijetojë si shtetas i mirë.

Shtetasi i mirë në shtetin e keq dëmtohet edhe nga asnjanësit, që kanë mundësi të bëjnë diçka, por shohin punën e tyre. Herët ose vonë nuk mund të bëjnë asnjë punë pa miratimin e shtetit. Asnjanësit shpesh justifikohen se kanë frikë të veprojnë për shkak të familjes, por duke heshtur punojnë kundër familjes së tyre. Si të tillë janë në aleancë të heshtur me shtetin e keq.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

 

Exit mobile version