Në Strugë ka nisur riparimi i shtratit të lumit Drini i Zi si dhe Urës së drurit ku dërrasat e vjetra zëvendësohen me të reja. Qytetarët e mirëpresin këtë rregullim, jo vetëm për sigurinë e tyre, por edhe të turistëve. Ura e drurit është simbol i Strugës, dhe riparimi i saj i fundit ishte para 3 vjetësh, njofton Drini.mk.
“Ura është atraktive dhe simbol i qytetit. Çdokush që kalon nga të huajt e fotografon atë”, thotë një qytetar.
Sipas tyre, çdo gjë që bëhet për interesin e qytetit, është e mirë. Kjo duhet të bëhet njëherë e mirë, kështu që duhet në çdo tre vjet të riparohet”.
Edhe këtë verë, ura ishte vendi më i pëlqyer për not, pavarësisht tabelave të vendosura aty që tregonin se rrjedha e ujit është e shpejtë dhe e rrezikshme.
“Ata që duan të hidhen prej këtu, e që nuk janë nga Struga, duhet të shohin se si hidhemi ne. Uji është i thellë, rreth 4 metra dhe ka shpejtësi të madhe. Këtu janë mbytur shumë fëmijë”, u shpreh një qytetar.
Për të ruajtur këtë simbol, edhe komuna e Strugës e ka vendosur atë ndër prioritetet e saj, për ndërtimin njëherë e mirë të këtij simboli të qytetit.