Site icon PORTALB

Lëvizja BESA: Parlamenti t’ia rikthejë Qeverisë për rishqyrtim propozim-buxhetin e vitit 2016

“Në kohën kur të gjithë jemi të bindur se si janë keqpërdorur mjetet buxhetore nga ana e qeverisë aktuale, por edhe kur legjitimiteti i të zgjedhurve aktualë është rrënuar plotësisht, pasi e dëgjuam të gjithë se si e kanë marrë ata pushtetin, duke i vjedhur votat dhe si i kanë keqpërdorur organet shtetërore në favor të partive politike, sot – me propozim-buxhetin e vitit 2016 – Maqedonia gjendet edhe para një mashtrimi dhe keqpërdorimi të madh që ia përgatisin partitë qeverisëse”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Lëvizja Besa propozon që të anulohen të gjitha projektet, ndërkaq ato të zbatohen nga një Qeveri legjitime e cila do të dalë pas zgjedhjeve të 24 prillit.

“Prandaj, propozimi ynë është që kjo garniturë qeverisëse ta miratojë një buxhet, i cili do t’i përmbante vetëm zërat e financimit të funksioneve tekniko-administrative dhe sociale të domosdoshme dhe njëherësh të anulohen të gjitha projektet që mund të presin të realizohen në kohë normale dhe të cilat do të ishin pjesë e ofertës politike të një qeverie me legjitimitet të plotë, që do të dalë nga zgjedhjet e 24 prillit të vitit 2016. Sipas nesh, një buxhet i tillë do të jetë në funksion të daljes nga kriza ekonomike e vendit dhe njëkohësisht ashtu do të parandalohet vjedhja e parave të qytetarëve, që me këto para dikush të qëndrojë edhe më tej në Qeveri”, thuhet nga Lëvizja Besa.

Exit mobile version