Site icon PORTALB

Meta: Më sulmon mafia, jam pro hetimit amerikan

Ilir Meta

Ilir Meta

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë,Ilir Meta, ka bërë një sqarim të gjatë në foltoren e Kuvendit, duke dhënë argumentat, që sipas tij, hedhin poshtë akuzat që lidhin emrin e kreut të Kuvendit me kompaninë DIA.

Si ministër i Jashtëm në Qeverinë “Berisha”, Meta deklaroi se në Pragë nuk ka negociuar me CEZ-in për kompaninë e Kastriot Ismailajt, me të cilin marrëveshja është lidhur nga Dritan Prifti, ministër Ekonomie në atë kohë.

“Kastriot Ismailaj nuk më ka kërkuar asnjë nder, nuk i kam bërë asnjë nder. Kjo gjë duhet të jetë fare e qartë për ju dhe cilindo tjetër”, tha Meta.

Argumenti i dytë i dhënë nga Meta, ishte ai se kompania e kontraktuar nga qeveria shqiptare për llogari të OSHEE-së nuk ka përmendur emrin e tij, por vetëm ka folur për një ish-kryeministër që ka ndikuar tek CEZ-i për DIA-n, duke nënkuptuar se ai ka qenë Vilson Ahmetaj.

Argumenti i tretë i dhënë nga Meta, ishte ai se deklarata e ish-kreut të CEZ-it në Shqipëri, që ka pohuar se është lobuar pranë tyre për DIA-n përmes ambasadorit tonë në Pragë, sipas Metes është i cunguar.

Kreu i CEZ-it në Shqipëri, tha Meta, ka cituar ambasadorin shqiptar të ketë thënë se Kastriot Ismailaj ka mbështetjen e ministrit të Jashtëm, por edhe të kryeministrit Berisha.

Duke nënvizuar këto fakte, sipas tij, kreu i LSI-së dha një tjetër argument përse kërkon hetimin ndërkombëtar.

“Unë jam për hetim ndërkombëtar, jam edhe për hetim amerikan. Dhe e dini përse kam thënë hetim amerikan? Sepse kam dëgjuar të gjithë këta mafiozë që thonë se shkrimin e ka, është bërë me porosi të Ambasadës Amerikane. Unë jam nga ata që ballafaqohet me shqiptarët, me amerikanët dhe me europianët pa asnjë shqetësim sepse jam i bindur tek drejtësia, e vërteta dhe transparenca. Nuk e ndërtoj punën time duke u përpjekur për të diskredituar të tjerët, por e ndërtoj me personalitet, me dinjitet edhe kjo është arsyeja që dikush mërzitet përse votohet partia që unë drejtoj”, shtoi Meta,transmeton Top Channel.

Exit mobile version