Site icon PORTALB

Burgosen dy shqiptarë në Francë, trafikonin emigrantë drejt Anglisë

Ne foto, hoteli ku strehoheshin emigrantet, per te udhetuar me pas drejt Anglise

Dy shqiptarë të përfshirë në trafikun e emigratëve nga Franca në Angli janë dënuar nga një gjykatë franceze në qytetin Dunkirk.

Mediat britanike dhe franceze raportojnë se, Denis Rexhaj është dënuar me 3 vite burg; kushëriri i tij, Mirjan Rexhaj, me 18 muaj burg; ndërsa bashkëpunëtorja e tyre franceze, Ahcene Lamri, me dy vite burg, transmeton Top Channel.

Shqiptarët kishin rekrutuar disa shoferë kamionësh rumunë, të cilëve u paguanin 2 mijë stërlina për çdo emigrant që do të kalonin për në Angli.

Me të mbërritur në Francë, emigrantët strehoheshin në një hotel, nën menaxhimin e shtetases franceze, Ahcene Lamri, e cila çdo muaj përfitonte 10 mijë euro nga strehimi i tyre.

Emigrantët paguanin deri në 5.000 stërlina për të kaluar drejt Anglisë.

Denis Rexhaj ishte pjesë e një organizate trafiku, drejtuar nga shtetas britanik, dhe për çdo emigrant përfitonte 350 stërlina.

Ndërkohë, në gjykatë u mësua se kushëriri i tij, Mirjan Rexhaj, po bëhej gati të ndërtonte vetë një rrjet trafiku njerëzish nga Franca drejt Anglisë.

Gjithashtu, raportohet se 4 shqiptarë të tjerë morën dënime nga 7 deri në 30 muaj burg, pasi kanë pranuar përfshirjen në trafik. Çështja e tyre është gjykuar nga Gjykata e qytetit Boulogne, javën e shkuar.

Exit mobile version