Site icon PORTALB

KLSH kallëzon ish-administratorin e “CEZ”: 32 mln euro dëm ekonomik

Arben Seferi

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar pranë Prokurorisë ish-administratorin e “CEZ Shpërndarje Sh.a.”, Arben Seferi, si dhe dy ish-drejtues të lartë të kësaj shoqërie, për periudhën kur kjo ka qenë nën administrim të përkohshëm të shtetit, transmeton Shekulli.

Më konkretisht, për periudhën e audituar nga data 21.01.2013 deri me datë 30.06.2015, nga auditimi është evidentuar keqmenaxhimi i kësaj shoqërie për sa i përket: blerjes së energjisë elektrike, zbatimit të procedurave të blerjes së materialeve dhe pajisjeve elektrike, zbatimit të procedurave të prokurimit publik, sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit, dhënies së pagave dhe shpërblimeve, hartimin dhe mbajtjen e pasqyrave financiare etj, që i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 32,039,438 euro.

Ish-administratori i shoqërisë “CEZ Shpërndarje Sh.a.”, Arben Seferi, shtetasi E.Z. në cilësinë e ish-Drejtorit të Departamentit të Shitjes dhe J.Z. në cilësinë e ish-Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse, akuzohen për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe më konkretisht për shkeljet e konstatuara në lidhje me:

– Blerjen e pajisjeve dhe materialeve elektrike emergjente për nevojat e shoqërisë, në vitin 2014,

– Moszbatimin e kuadrit rregullator për blerjet e energjisë elektrike, duke e blerë atë me çmime më të larta se ato të tregut, si dhe

– Uljen artificiale të humbjeve teknike, nëpërmjet mbifaturimit të konsumatorëve.

Më konkretisht, sipas njoftimit të KLSH-së, janë evidentuar këto dëme ekonomike nga keqmenaxhimi:

–  9,727,223 euro nga blerja e energjisë elektrike gjatë periudhës janar-korrik 2014

–  11,082,68  euro nga mbifaturimi i konsumatorëve me pasojë uljen artificiale të humbjeve teknike

–  4,359,882 euro, nga procedurat e blerjes së materialeve dhe pajisjeve elektrike.

Gjithashtu, në lidhje me këtë auditim, janë përcaktuar dhënia e rekomandimeve për 30 masa organizative, 16 masa të ndryshme disiplinore që variojnë nga zgjidhja e kontratës së punësimit deri në vërejtje, si dhe 9 masa zhdëmtimi.

Exit mobile version