Militanti si përkufizim është dhe duhet te jetë një qytetar aktiv politikisht, me i ndërgjegjshëm për rolin e vet në shoqëri, të sakrifikojë për të mirën e përgjithshme, aktivizohet në parti politike dhe mobilizohet për të mbrojtur interesat e qytetarit, që lufton për parime deri në sakrifica.
Kështu thonë librat së paku, kështu mësojnë edhe brezin e ri në shkolla kur i flasin për të kaluarën, por unë duke parë të sotmen nuk i besoj më historisë. Militanti i sotëm vështirë se ka ideale, ideali i tij shpesh është përfitimi personal.
Kur janë manipuluar zgjedhjet, kush e bën thoni ju? Militanti.
Kur bëhen anti-mitingje dhe formulohen sharje në media kundër të tjerëve, kush e bën thoni ju? Militanti.
Kur për çdo gjë që thotë shefi, ka bindje të verbër, kush rreshtohet thoni ju? Militanti. Kush nuk pranon të hajë logjikë, por i thotë të bardhës të zezë dhe të zezës të bardhë, kush thoni ju? Militanti.
Kush e braktis lidershipin sapo sheh se i rreshket këmba, thoni ju, Militanti. Militanti shpesh është armiku i qytetarit, ndërkohë që librat dhe demagogjia e konsideron atë si në shërbim të qytetarit.
Militanti i merr qytetarit vendet e punës në administratë. Nuk voton qytetari, punë e madhe, voton militanti dhe zgjedhjet janë të rregullta.
Militanti merr tenderët dhe punëson si skllav qytetarin. Çmimet e para, bursat, projektet i merr militanti për shërbime të çmuara ndaj bosit. Militanti ka gjithmonë të drejtë edhe në gjyq.
Karrierë bën i riu militant, ai shkon në kamp pushimi, të tjerët i kanë harruar që kanë pas ekzistuar. Militantët bëhen edhe anëtar të këshillave komunale dhe shpreson në mos ndonjë leje ndërtimi, së paku ndonjë licence dyqani a ndonjë shtesë oborri. E braktis qytetarin për kryetarin. Kur pesë veta janë në një zyrë, shef do të bëhet militanti.
Pse mos t’i duket e bukur jeta militantit?
Për çfarë flitet nëpër tavolina raporton militanti. Bordet e pavarura, të lidhura me zinxhirë, formohen me militantë. Militanti hiqet nga puna kur vjen partia kundërshtare, por gjyqi e paguan pa punuar se i jep të drejtën e kthimit në punë. Fut parat publike në xhep. Kur flitet për të drejtat e qytetarit në fakt nënkuptohen të drejtat e militantit.
Takimet me popullin nëpër lagje, në fushata elektorale në fakt bëhen me militantët.
Militanti është dekor, në administratat. Militanti mbetet militant partiak. Por qytetari nuk duhet te mbetet Qyqar.