Senatori amerikan, John McCain në kuadër të vizitës zyrtare në Ukrainë vizitoi qytetin jugor të Odesës, ku takoi presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, ndërsa me këtë rast theksoi se SHBA-të nuk e njohin qeverinë e vetëshpallur separatiste në lindje të vendit, por se mbështesin qëndrimet e autoriteteve zyrtare në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyra për marrëdhënie me publikun e presidentit ukrainas njoftoi se Poroshenko është takuar me senatorin dhe shefin e Komitetit të Senatit për Forcat e Armatosura, McCain dhe falënderoi për mbështetjen e Senatit amerikan ndaj Ukrainës e cila gjendet përball politikës agresive të Rusisë.
Duke i shprehur falënderime McCain-it për kontributin që jep lidhur me procesin e ndihmës amerikane për Ukrainën në armatosje, Poroshenko bashkëfolësin e informoi për proceset e reformave dhe implementimin e marrëveshjes paqësore të Minskut.
“Nuk dyshoj se ukrainasit deri në fund do të luftojnë për vendin e tyre. Dua t’u përcjell se shumë politikanë amerikanë do të vazhdojnë të përpiqen maksimalisht për të ndihmuar Ukrainën”, tha McCain gjatë takimit me presidentin ukrainas.