Serbia vendos kundërmasa për Kroacinë, ndalohet hyrja e kamionëve dhe mallrave kroate

Serbia nga mesnata ka vendosur kundërmasat e paralajmëruara ndaj Kroacisë, ku në këtë mënyrë në të gjitha vendkalimet kufitare ka ndaluar hyrjen e kamionëve me targa kroate dhe qarkullimin e mallrave kroate. Ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviç mbrëmë në vendkalimin kufitar Batrovci deklaroi se Kroacia nuk ka përmbushur kushtet.

“Që nga ky moment policia e Serbisë nuk do të lejojë hyrjen në Serbi të asnjë automjeti transportues me mallra kroate në të gjitha vendkalimet kufitare, pavarësisht asaj nëse automjetet janë nga Republika e Kroacisë apo të ndonjë vendi të tretë. Menjëherë fillon zbatimi”, deklaroi Stefanoviç në fjalimin e drejtpërdrejt në Radio Televizionin Publik serb, RTS.

Ai shprehu pritjet se shpejtë do të arrihet marrëveshje sesi të kapërcehet situata e krijuar si dhe gatishmërinë e Serbisë që, nëse vjen deri te marrëveshja, kundërmasat e ndërmarra të shfuqizohen në afat prej pesë minutave.

Duke treguar se përmes Serbisë kanë kaluar mbi 180 mijë refugjatë, Stefanoviç vlerësoi se Serbia me asgjë nuk ka merituar sjellje të tillë të Kroacisë që paraprakisht të ndalojë hyrjen e kamionëve nga Serbia.

“Kemi tentuar të gjejmë zgjidhje për këtë krizë, por, fatkeqësisht nuk ekziston mirëkuptim në Qeverinë e Kroacisë që të sheh se kjo sjellje do të sjell dëme edhe mbi afaristët, por edhe mbi marrëdhëniet e përgjithshme, gjë që Serbia sigurisht se nuk e dëshiron”, porositi ai, duke shtuar se Serbia është e gatshme të arrihet marrëveshje dhe se kryeministri Vuçiç është i gatshëm që të thërras mbledhje të Qeverisë për të tërhequr kundërmasat e vendosura.

Lajme të ngjashme

Back to top button