Site icon PORTALB

75 persona kërkohen për ekstradim, për 12 po përgatitet dokumentacioni

Blerim Bexheti

Blerim Bexheti

Në vitin 2013 ka gjithsej 87 lëndë për persona të cilët kërkohen në shtetet e huaja me urdhër arreste nga Republika e Maqedonisë. 

Për 75 prej tyre janë bërë kërkesa për ekstradim dhe janë dërguar deri te shtetet e huaja, ndërsa për edhe 12 ende po kompletohet dokumentacioni, por afatet po respektohen dhe pas kompletimit do të dorëzohen kërkesa për ekstradim, deklaroi në intervistën e sotme për MIA-n, ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti.
 
“Për Mile Haxhiskit është dërguar kërkesë për ekstradim deri te Republika e Francës, por përgjigje zyrtare as nga Ministria e Drejtësisë e Francës, as nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë në Paris, as nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk është marrë. Në qoftë se ekstradimi lejohet me vendim të plotfuqishëm, Ministria e Drejtësisë menjëherë do ta organizojë përcjelljen, siç bëhet me çdo ekstradim”, tha Bexheti. 

Për Alil Demirin dhe Afrim Ismailoviqin, siç theksoi, është kërkuar ekstradim nga Republika e Kosovës me letër nga 15 maji i këtij viti. “Dokumentacioni i kompletuar për të dy është dërguar deri te Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, por përgjigje nga autoritetet kosovare për këtë kërkesë deri në këtë moment nuk ka”, shtoi Bexheti. 

Në intervistë ministri i Drejtësisë paralajmëroi se ndërtesa e re e Gjykatës Penale do të lëshohet në përdorim gjatë nëntorit të këtij viti.

Exit mobile version