Site icon PORTALB

Kultura Turke nëpërmjet “Karvanit të Ballkanit” zbret në Shkup (FOTO)

Kultura turke ne Shkup

Projekti unik “Karvani i Ballkanit”, i cili ka për qëllim promovimin e vlerave kulturore turke në Ballkan, pas rrugëtimit nëpër Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë, u ndal edhe në Shkup për të prezantuar vallet folklorike dhe artet tradicionale turke, raporton Anadolu Agency (AA).

Projekti “Karvani i Ballkanit” i cili për herë të parë filloi nga 10 shtatori në Ohër dhe përfundoi sot në Shkup, realizohet nga Komuna Küçükçekmece e Stambollit në mbështetje të Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre”.

“Sulmet terroriste që ndodhën në Turqi na zvogëluan entuziazmin, megjithatë ne deri në fund e mbështesim këtë projekt, për të promovuar qytetërimin, kulturën dhe artin tonë”, u shpreh drejtori i Institutit “Yunus Emre”, Mehmet Samsakçi.

Ndihmës kryetari i Komunës Küçükçekmece, Recep Şercan, tha se qëllimi i realizimit të këtij projekti është që me prezantimin e kulturës turke të ndërtohen ura paqësore me popullin e Ballkanit, pasi që siç tha ai, stërgjyshërit e tyre para 600 viteve kanë jetuar bashkë me këtë popull.

“Nuk duam që këta kufij të krijojnë kufij edhe në zemrat tona. Ne kemi për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve të popujve të Ballkanit me të Turqisë, veçanërisht në Küçükçekmece, ku shumë njerëz nga Ballkani kanë migruar në Turqi. Me këtë ngjarje ne i përshëndesim të afërmit e tyre”, deklaroi Şercan.

Në ceremoninë e “Karvanit të Ballkanit” u prezantuan elemente të ndryshme të arteve tradicionale turke si kaligrafia, punime të drurit dhe xhamit, kafe turke, karamele, si dhe shfaqje të kukullave në hije.

Exit mobile version