Site icon PORTALB

Han dhe mesazhet mjaftë rigoroze për Maqedoninë, a ka kush i dëgjon?

Johanes Han

Johanes Han

Komisari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, Johanes Han e ka vlerësuar si përparim zbatimin e dy pikave të para të Marrëveshjes politike, kthimin e opozitës dhe zgjedhjen e prokurorit special, mirëpo ai theksoi se ka edhe shumë punë për tu bërë.

Profesori universitar Mersel Bilalli vlerëson se mesazhi i Han ishte rigoroz, në veçanti për funksionimin ligjor të pushtetit  gjyqësor, duke potencuar se përzierja e pushtetit ekzekutiv në gjyqësorin do të duhet të shkojë në histori.

“Vizita e Han ne Shkup ka për qellim vazhdimësinë e trusnisë ndaj pushtetit te Maqedonisë  lidhur me implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos. Ai përshëndeti dhe inkurajoj prokurorin special dhe njëherit përcolli mesazh tejet rigoroz lidhur me funksionimin ligjor të pushtetit  gjyqësor, duke potencuar se përzierja e pushtetit ekzekutiv në gjyqësorin do të duhet të shkojë në histori. Me siguri se ka ushtruar presion edhe për implementimin e segmenteve të radhës së Marrëveshjes. Ai ne takime te ndara ka potencuar edhe problemet që kanë të bëjnë me funksionimin e administratës publike, mediumeve, problemeve zhvillimore, çështjeve sociale et. “, tha për Portalb, Bilalli.

Ai shtoi se regjimi i deritanishëm është drejt perëndimit.

“Fakt është se regjimi është kah perëndon dhe s’ka fuqi që mund ta pengon rënien e tij. Këmbëngulja e disa mediumeve që me çdo kusht ta shpëtojnë regjimin e kriminalizuar është tentim i mjer për të shpëtuar edhe vetveten, pasi këta mediume vazhdojnë të jenë shtyllë e vetme e krimit të organizuar”, shtoi Bilalli.

Profesoresha universitare Mirjana Maleska thotë se zgjidhje të shpejta dhe të lehta nuk ka, mirëpo me presionin e ndërkombëtarëve liderët politik janë të detyruar të realizojnë pikat e marrëveshjes.

“Sipas mendimit tim, nuk ka zgjidhje të shpejta dhe të lehta, edhe nëse ndikojnë dhe involvohen të huajt. Ata vendosën kornizat institucionale, të bazuara në marrëveshjen e faktorëve politik relevant, dhe tani puna na ngelet neve. Sa jemi ne të aftë të ngritemi dhe të dalim nga kriza apo të fundosemi plotësisht. Presione të vazhdueshme ka një ndër to është edhe porosia e Han, i cili i tha në fjalimin e tij këto fjale: ju vëzhgojmë, ju përcjellim, nuk do të lejojmë të bëni ndonjë lëshim, etj. Nuk ka asnjë sektor të politikës i cili nuk do të vëzhgohet, secila detyrë e marrë duhet të realizohet. BE funksionon me ‘shpërblime dhe dënime’, të cilat vlerësojmë të jenë efikase”, tha për Portalb, Maleska.

Ajo shtoi se tani qytetarët e kanë radhën të ngritin zërin për një shtet demokratik dhe evropian, sepse më nuk është me rëndësi vullneti politik, pasi liderët humbën kredibilitetin e tyre.

“Tani më nuk diskutohet se a kanë vullnet apo jo liderët politik për zgjidhjen e krizës. Ata më kanë humbur kredibilitetin e tyre me skandalet korruptive. Tani ne e kemi radhën, qytetarët që duam të jetojmë në një shtet evropian dhe demokratik”, shtoi Maleska.

Gjatë vizitës së tij,  Han u takua edhe me liderët politik shqiptarë, Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin.  Han premtoi ndihmë për prokuroren e re. Por, në paraqitjen para deputetëve ishte i drejtpërdrejtë në kualifikimet për ndërhyrje të politikës në gjyqësor dhe administratë, presionet ndaj gazetarëve dhe rritjen e deficitit dhe papunësisë./Portalb

Exit mobile version