Site icon PORTALB

Sindikata e RTK-së reagon ndaj Mustafës

Ende e pazgjidhur çështja e emërimit të drejtorit të kanalit serb në RTK

RTK

Sindikata e Radiotelevizionit të Kosovës i ka reaguar sot Kryeministrit Isa Mustafa, i cili në mëngjes e ka mohuar të ketë pasur dorë në emërimin e Kryeredaktorit Ridvan Berisha dhe Redaktorit Përgjegjës, Xhymret Veliut.

Përmes një komunikate kjo sindikatë ia ka kujtuar kryeministrit se televizioni publik është larg depolitizimit.

“Tre anëtarë të Bordit të RTK-së kanë kontratë pune me Ministrinë e Arsimit, dhe për kryetar të Bordit është zgjedhur personi i cili ishte në krye të tij edhe në kohën kur mbi 60 redaktorë e gazetarë të RTK-së ngritën zërin kundër censurës në këtë medium”, thuhet në reagim.

“Sa i përket mbikëqyrjes parlamentare, deputetët e partisë që ju drejtoni nuk janë në gjendje të iniciojnë hetim parlamentar në RTK, me gjithë vërejtjet e Auditorit Gjeneral për parregullsi të mëdha në këtë institucion”.

Sindikata është shprehur se në RTK ka nevojë emergjente për të vepruar konkretisht.

“Degradimi i saj si në rrafshin financiar e ligjor, programor e organizativ nuk ka të ndalur”.

Me gjithë borxhet milionëshe,punësimet e pakontrolluara dhe lidhja e kontratave në kundërshtim me ligjin, po vazhdon”.

“Pagat e punëtorëve të RTK-së janë duke u siguruar falë zemërgjerësisë së Telekomit të Kosovës për të reklamuar në RTK dhe kredive në bankat komerciale”.

“Punëtorët e RTK-së mbesin me shpresë që kjo zemërgjerësi e menaxhmentit të Telekomit nuk do të mungojë as për këtë muaj.

Këtë rrënim të Mediumit të vetëm Publik në vend po e bënë menaxhmenti i saj, pa u penguar nga askush.

E gjithë kjo po ndodhë para syve tanë”, thuhet në reagimin e sindikatës drejtuar Kryeministrit Mustafa

Exit mobile version