Site icon PORTALB

SHBA dhe BE dënojnë dhunën kundër gazetarëve

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë, e përballur me përshkallëzimin e dhunës kundër gazetarëve dhe me sjelljen e papërgjegjshme dhe joprofesionale të Ministrisë së punëve të brendshme, para një muaji ka dërguar letër deri te të gjitha organizatat ndërkombëtare, ku Maqedonia është anëtare fuqiplotë, siç janë Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës dhe Organizata për siguri dhe bashkëpunim në Evropë, si dhe deri te partnerët më të rëndësishëm të Maqedonisë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komisioni Evropian.

“Në letër alarmuam këto organizata dhe shtete se dhuna kundër gazetarëve ka marrë përmasa dramatike dhe kërkuam të intervenojnë deri të autoritetet në Maqedoni për të garantuar siguri për gazetarët në ushtrimin e profesionit të tyre dhe të mos lejojnë që të rrezikohen jetët e tyre. Përveç kësaj SHGM kërkoi që këto organizata dhe shtet të zbatojnë monitoring ndërkombëtarë për këto raste, që do të kontribuonte për zbardhjen e tyre dhe parandalimin e sulmeve të reja”, thuhet në kumtesën e SHGM-së.

Më tutje ata thonë se kanë marrë letër për mbështetje nga Departamenti shtetëror amerikan dhe nga Komisioni Evropian.

“Shtetet e bashkuara të Amerikës fuqishëm dënojnë çfarëdo qoftë dhune apo shqetësimi ndaj gazetarëve. Dhuna dhe frikësimi ndaj gazetarëve të përshkruara në letrën e SHGM nuk kanë vend në një shoqëri moderne dhe demokratike. “, shkruan ne letrën e ndihmës sekretarit shtetëror amerikan, Xhon Hefner.

Hefer nxit gazetarët e Maqedonisë viktima të akteve kriminale dhe të frikësimit menjëherë t’i njoftojnë autoritete kompetente sepse për ata është më lehtë t’i ndjekin këto raste kur janë pjesë e raporteve policore dhe të gjykatave.

“Persona zyrtarë të ambasadës tonë në Shkup dhe Uashington do të vazhdojnë me kujdes të ndjekin statusin e lirisë së shtypit në Maqedoni dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen të angazhohen për forcimin e lirisë së shprehjes para autoriteteve të Maqedonisë”, shton ne letrën Hefner.

Ai vlerëson se liria e shtypit është me rëndësi të veçantë për një shoqëri të shëndoshë dhe demokratike dhe vendimtare për integrimin euroatlantik të Maqedonisë prandaj në të ardhmen do ta nxisin lirinë e shtypit dhe do të vazhdojnë të angazhohen për forcimin e lirisë së shprehjes para qeverisë së Maqedonisë.

Shqetësim për shkallëzimin e dhunës kundër gazetarëve në Maqedoni shpreh edhe Kristian Danielson, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë për zgjerim të Komisionit evropian. Danielson në letër fton autoritetet t’i hetojnë këto raste dhe fajtorët të përballen me drejtësinë.

“Është e nevojshme të sigurohet ambient i sigurt për gazetarët në mënyrë të pavarur të ushtrojnë profesionin e tyre pa ndërhyrje joligjore dhe pa qenë të frikësuar nga kërcënimet dhe censura”, porosit Danielson.

Ai sugjeron që kjo çështje të adresohet në kuadër të dialogut politik dhe kapërcimit të krizës politike në vend.

SHGM përkujton se një zëvendëskryeministër sulmoi me grushta një gazetar dhe kaloi pa përgjegjësi politike.

“Përveç kësaj, gazetarë qenë sulmuar me shufra hekuri dhe u shkatërrua prona e gazetarëve, ndërsa institucionet kompetente ende nuk kanë zbuluar fajtorët. Ftojmë ministrin e punëve të brendshme Mitko Çavkov seriozisht të angazhohet për ndriçimin e rasteve të dhunës kundër gazetarëve. Shpresojmë se ministri Çavkov do ta shfrytëzojë këtë rast dhe do të inkurajojë bashkëpunëtorët e tij në mënyrë më aktive të angazhohen për ndriçimin e këtyre incidenteve”, përfundon reagimi i SHGM-së.

 

Exit mobile version