Ali Ahmeti: Akuzat për “Magjar Telekom” janë shpifje

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti mohon se ka lidhje me rastin “Magjar Telekom” dhe se sipas tij është një fushatë shpifjesh për dëmtimin e BDI-së. Ai këtë e theksoi në një intervistë për gazetën “Koha”, ku mes tjerash ka folur edhe për zhvillimet e tjera politike si dhe akuzat e fundit për korrupsion që bëhen ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, në rastin “ Magjar Telekom”.

“Në të njëjtën vijë është edhe fushata intensive me shpifje nga më të ndryshmet në adresë timen dhe të BDI-së përfshirë edhe pretendimet e një eksponenti të shërbimit sekret të dënuar për mashtrim, i cili bën përpjekje të implikojë emrin tim dhe të bashkëpunëtorëve, në një ngjarje inekzistuese të para 10 viteve. Unë ju siguroj që të gjitha këto konstruksione janë shpifje ordinere në shërbim të fushatës së lartpërmendur dhe për fat të keq qytetarët do të terrorizohen edhe më shumë me lajme të tilla deri në përfundim të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm”, ka thënë Ali Ahmeti.

Afera “Magjar Telekom”është rezultat i dëshmisë së dhënë nga ana e ish agjentit Sllobodan Bogoevski para gjykatës në Nju-Jork, ku tha se funksionarë të lartë kanë marrë ryshfet prej 5 milion eurosh, për të shtyrë afatin për liberalizimin e tregut të telekomunikimeve. Të dyshuar kryesorë të skandalit janë figurat e larta të BDI-së, si Musa Xhaferi dhe Ali Ahmeti, të cilët jo vetëm i mohuan akuzat, por theksuan paditjen në gjyq të atyre që përbaltin figurat e tyre.

Në ndërkohë Ali Ahmeti, i ka përsëritur qëndrimet e BDI-së sa i përket Prokurorit Special i cili duhet të zgjidhet deri të martën më 15 shtator. Sa i përket debatit rreth numrit të prokurorëve, BDI propozon që të ketë 3 prokurorë shqiptarë në mesin e 8 prokurorëve që do të përbëjnë stafin e Prokurorit Special. Lideri i BDI-së Ahmeti i shpaloste këto qëndrime, në një intervistë për të përditshmen “Koha”.

“Qysh ditën e parë kemi shprehur gatishmërinë për të prezantuar edhe kandidat potencial për këtë post të rëndësishëm dhe këtë e kemi bërë tashmë edhe zyrtarisht, pa paragjykuar zgjidhjen përfundimtare e cila duhet të jetë konsensuale midis katër partive politike dhe komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Ali Ahmeti.

Lajme të ngjashme

Back to top button