Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi dhe Pajtim Kasami, të premten do të përjetojnë njërën prej ndeshjeve më të veçanta në karrierën e tyre.
Të gjitha këta do të veshin fanelën e Zvicrës, ndërsa për kundërshtarë do të kenë bashkëkombasit e tyre të Kombëtares së Shqipërisë. Tifozët në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë, vështirë se do t’i mirëpresin, bazuar në takimin e parë të luajtur në Lucernë në shtator të vitit të kaluar.
Në lidhje me këtë, trajneri i zviceranëve, Otmar Hitzfeld, në intervistën për gazetën “Arena”, ka thënë se lojtarët e tij do të sillen si profesionist. Ai thotë se në Tiranë vijnë për fitore, pavarësisht se vetëm një pikë i dërgon në “Brazil 2014”.
Por, fituesi dy herë i Champions League flet edhe për Kosovën, duke shprehur “keqardhjen” se do të shkojë edhe një kohë e gjatë për t’u pranuar në UEFA e FIFA.
“Ne nuk dëshirojmë të vijmë për një barazim dhe të kualifikohemi për Kampionat Botëror. Ne do të luajmë për fitore, ashtu siç kemi bërë që nga fillimi i këtyre ndeshjeve kualifikuese”, ka thënë Hitzfeld, i cili për presionin që mund të ketë mbi lojtarët e tij shqiptarë në “Qemal Stafa” është shprehur: “Këto gjëra ndodhin. Ne humbëm shumë raste për të shënuar kur luajtëm ndaj Qipros. Xhaka do të mund të shënonte, njësoj sikur Shaqiri. Ata nuk e bënë. Përveç kësaj: Shaqiri shënoi në ndeshjen ndaj Shqipërisë dhe shumë njerëz me prejardhje nga vendi juaj më thanë pas ndeshjes se ata ishin krenar për dy arsye: njëra që ekipi i Shqipërisë luajti mirë, dhe tjetra se lojtarët e Zvicrës me prejardhje shqiptare luajtën po ashtu mirë”.
Ndërsa për mundësinë që yje si: Shaqiri, Behrami dhe Xhaka të luajnë për Kosovën kur kjo e fundit të pranohet nga UEFA dhe FIFA Hittfeld ka qënë shumë i qetë.
“Pikë së pari, kam frikën se do të duhet ende kohë që Kosova të bëhet anëtare e plotë në UEFA dhe FIFA. Prandaj, nuk mendoj se shumica e lojtarëve të tanishëm do të ndikohen nga kjo. Përveç kësaj, Zvicra në 10 vitet e fundit ka humbur vetëm një Kampionat të rëndësishëm. Një vend i vogël ka bërë shumë për të arritur këtu, dhe shumë lojtarë e vlerësojnë këtë shumë dhe kësisoj duan të jenë pjesë e skuadrës zvicerane”, ka deklaruar trajneri i Kombëtares zvicerane.
Shqipëri-Zvicër luhet më 11 tetor, ora 20.30, në “Qemal Stafa”. /albeu http://sport.albeu.com/kryetitull/hitzfeld-ne-tirane-per-fitore-shqiptaret-nuk-ikin-nga-zvicra/127757/