Site icon PORTALB

Stop “ekspertëve” të rremë të teksteve shkollore

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

U bënë shumë vite qëkur disa “shkencëtarë” maqedonas i mbajnë peng nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit shqiptarë me tekste fyese  shkollore. Rasti i fundit lidhet sërish me tekstet mësimore të Gjeografisë dhe Historisë për nxënësit shqiptarë të shkollës fillore, ku përsëriten budallallëqet për gjoja shqiptarët ardhacakë dhe maqedonasit autoktonë e pasardhës ilirësh?!

Fjala është për veprim të qëllimshëm dhe shumë të dëmshëm për ardhmërinë, sepse me mekanizma të tillë nuk ndërtohet mirëbesimi i aspiruar (a thua vetëm pro forma?) ndërmjet dy komuniteteve kryesore të vendit.

Së këndejmi, reagimet e njerëzve që kërkojnë ndërprerjen e vakisë së përsëritur të poshtërrimit shqiptar përgjatë 25 viteve të fundit – të vetmit komb që i pranoi maqedonasit pa asnjë kusht dhe ashtu siç kanë qejf ata, pa u vajtur mendja se “shkencëtarët” e indoktrinuar me nasihate garashaninësh, nuk do të jenë falënderues për mirëkuptimin dhe tolerancën tonë gati naive, po, përkundrazi, do ta konceptojnë këtë si punë borxhi.

Sidoqoftë, ka ardhur koha t’u thuhet BOLL!  përpiluesve të këtillë të teksteve shkollore, sepse u bë shumë, sepse vetë “shkencëtarët” e dëshmojnë paaftësinë e tyre për t’ia dalë mbanë punës fisnike të përpilimit të një teksti njësoj të pranueshëm për të gjithë që jetojnë në këtë vend. Tani, besoj, janë përmbushur kushtet që tekstet në fjalë t’i përpilojnë autorët shqiptarë, ata që nuk do të luajnë cic-mic me ndjenjat etnike, racore, religjioze… të fëmijëve. Pa marrë mësyshë vetveten, duhet ta pranojmë se, për momentin, nuk kemi ekspertë të nivelit të finlandezëve (të njohur për tekste të përkryera shkollore dhe jo vetëm…), por kemi gjithsesi kuadro të nivelit të bashkëvendasve tanë (nuk e kam për nivelin mizerje të përpiluesve të teksteve në fjalë…) dhe për këtë as mos të dyshojë kush.

Është momenti i mbramë për t’stopuar vakitë fyese të “shkëncëtarëve” me misione të mbrapshta. Të tillëve duhet thënë troç se kanë ngatërruar shkencën me matrapazllëkun dhe kanë lënë delet mazun maje bjeshke. Atyre duhet t’u thuhet hapur e vërteta e shqiptarëve të shtetit tonë të dashur, që vazhdon t’na trajtojë (edhe me fajin tonë) si të ishim maxhirë që kemi ardhur sot e do të shkojmë nesër andej nga kemi ardhur. Ata duhet pyetur në nivele institucionale:

Ma merr mendja se këto gjëra i dinë mirëfilli “shkencëtarët” varrmihës të ardhmërisë evropiane të këtij vendi, po ne nuk duhet t’na preokupojë kjo gjë një jetë të tërë. Fëmijët tanë janë më të shenjtë se shkarravinat e tyre, ndaj duhet gjetur zgjidhja e pranueshme dhe e përhershme, për t’mos i lënë edhe më tej pengje përrallash të stërnjohura.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version