Kur hapen debate mbi çështje të caktuara, gazetari gjatë përcjelljes së qëndrimeve duhet t’i paraqesë të gjitha palët me qëllim që produkti gazetaresk që plason të jetë më i qartë për lexuesin.
Data dhe koha e publikimit: 31.08.2015
Data e recensionit: 01.09.2015
Recensent: Xhenis Sulimani
Lajmi që po e recensojmë ka të bëj me qëndrimin e kryetarit të degës së BDI-së në Radushë, Muhamed Ramadani. Lajmi raporton se Ramadani nëpërmjet rrjetit social “Facebook” ka reaguar mbi disa akuza që janë drejtuar në adresë të nënkryetarit të parlamentit, Rafis Aliti, i cili vjen nga fshati Radushë.
“BDI-ja e vërtetë e ka marrë në mbrojtje Rafiz Alitin – Komandant Mësuesin nga akuzat që po i bëhen prej “Gjithmonë DUI (BDI-ja fantome)” që shkruan me porosi e porositës, kështu pretendon për mediet të paktën kryetari i degës së BDI-së, Muhamed Ramadani nga Radusha, raporton Almakos”.
Lajmi raporton qëndrimin e Ramadanit, por nuk jep qëndrimin e palës tjetër që ka akuzuar Rafis Alitin. Duke raportuar edhe qëndrimin e palës që ka akuzuar lexuesi fiton një pasqyrë më të pastër mbi realitetin, apo konkretisht temën e diskutimit.
Paraqitja vetëm e njërës palë lajmin e bën të njëanshëm dhe krijon hapësirë dyshimi se informacioni diçka po fshehë. Lexuesi kërkon lajme të verifikuara dhe të balancuara.
Për faktin se në akuza është i përfshirë edhe emri i Rafi Alitit, do të ishte e udhës që gazetari të merrte prononcim nga Nënkryetari i parlamentit mbi akuzat e ngritura kundër tij.
Me përfshirjen e gjitha palëve në tekst lajmi do të ishte i plotë dhe i balancuar për lexuesin.