Site icon PORTALB

TE ISAKI

Lindita Kadriu

Lindita Kadriu

Pra, zgjedhja e kafeneve të preferuara mund të dëshmojë për ne po aq sa rrethi i miqëve, muzika që dëgjojmë, filmat, dizajni, enterieri shtëpiak, kurse më shumë se çdo gjë e kësaj natyre mendoj se definohemi nga autorët të cilëve preferojmë t’u rikthehemi se vepra e mirë lexohet ose të paktën shfletohet edhe pas leximit të parë; e tha më mirë Salajdini “Nuk ka rilexim. Ka vetëm lexim”.

Çajtorja “Te Isaki” është e veçantë për shumëçka: shërbimi kulmor, çmimet si për popull (si te shumica e lokaleve të këtij lloji në Çarshi), zgjedhja e mirë e radio-stacioneve, si dhe vetë pozicioni – e vendosur afër restoranit të dikurshëm Sharr, në një përpjetëz gjarpërore. (Notë personale: special është ky shteg për mua, anise ajo që e mendoja si kahje të lëvizjes nëpër kohë doli qorrsokak, por vetëm tash për tash pasi asnjëherë nuk i dihet, është rregull jete…Vërtet ka raste kur haberin s’e kemi çka është në favorin tonë, Zoti e di më saktë dhe ne ose duhet ti ndihmojmë atij që të na ndihmojë neve, ose krejt çka duhet bërë është pozita e distancës për të destiluar personat, emocionet dhe veten tonë karshi tyre, si në vargun e Ervin Hatibit “Të shoh më qartë kur ti je larg…”).

Shenja dalluese e lokalit është pronari Isaku, si me thënë: esnaf i vjetër i brezit të ri.

Kushedi sa punë të ketë dhe sa gjasa për ekstra-fitime të ditës, para mbrëmjes e mbyll firmën dhe niset për shtëpi. Ai ka kohën për punë dhe kohën për familje, nuk i ngatërron të dyjat. Fëmijët rriten saora e mandej edhe po të duam ne kushedi sa do të duan ata që të rrijmë bashkë. Fëmijëve duhet t’u flasim e t’u flasim derisa kanë vesh dhe durim për të na dëgjuar,  pasi vjen një kohë kur përpjekjeve për edukatë u skadon afati. Sikur ti pyesnim kalamajtë a duan më shumë pare apo më shumë kohë me prindërit dihet se çka do të ishin përgjigjur. Gjërat më të vlefshme në jetë nuk varen nga paret, gjërat që na definojnë si njerëz nuk kanë çmim – prandaj janë të vlefshme.

Në kohë Ramazani, çajtorja, si gjithë tjerat rri hapur deri afër syfyrit, por për dallim nga konkurrenca rrotull “Te Isaki” fillon me punë pas iftarit.

Pasi pronari është cool ndaj pareve.

Ata që vrapojnë parreshtur pas tyre nuk bëhen pasanikë, por edhe kur pasurohen nuk u rri mirë, çështje stili.

Isaku duket që është rahat me veten, është vetvetja.

Të tillët e të gjitha profesioneve e definojnë Kohën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version