Kundër të dyshuarit të shtatë në rastin Monstra, Sami Luta ende nuk është ngritur aktakuzë. Pas arrestimit më 25 gusht kanë filluar hetimet kundër Lutës, i cili dyshohet për mbështetje logjistike që u ka dhënë autorëve të vrasjes së pesëfishtë në liqenin e Smillkovës. Edhe pas 40 ditësh paraburgim, Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës. Avokati mbrojtës Naser Raufi thotë se në seancën e ardhshme gjyqësore Monstra pritet të marrë epilog edhe çështja e Sami Lutës.
“Ende nuk ka aktakuzë, procesi është në stadiumin e hetimit ende. Tash presim prej prokurorisë a do të zgjerohet aktakuza edhe kundër Sami Lutës, apo eventualisht do të shkojë me aktakuzë të veçantë, apo ndoshta edhe sipas mendimit tim ndërprehet hetimi me vendim, pasi unë jam i bindur që nuk ka prova. Si për të tjerët që nuk ka prova, edhe për Sami Lutën nuk ka prova për këtë delikt. Pritet që në seancën e caktuar për të akuzuarit e tjerë, të shohim se a do të zgjerohet aktakuza edhe kundër Sami Lutës”, tha Naser Raufi, avokat mbrojtës.
Gjykimi për rastin Monstra do të vazhdojë më 16 tetor. /Alsat-M