Deri më tani nuk ka mosmarrëveshje në lidhje me prokurorin special, sepse bisedimet themelore për kornizën ligjore që do ta garantojë autonominë e përgjithshme të funksionit të tij – do të fillojë të premten, njofton DW nga disa burime të grupeve punuese.
“Dy takimet e grupeve punuese deri tani kanë kaluar kryesisht në shpjegimin e kuptimit, rëndësisë dhe pozicionimin e këtij institucioni në sistemin gjyqësor, për të cilën sugjerimet konkrete dhe përvojat e tyre i kanë prezantuar dy ekspertë të jashtëm”, shpjegohet nga grupet punuese.
I pari ishte Xhejms Hamilton pjesëtar i ekipit të “Komisionit Evropian” udhëhequr nga Rajnhard Pribe, i cili e ka përgatitur raportin e ekspertëve për Maqedoninë. Ky ekspert juridik është me përvojë mbi 30 vjeçare në sistemin gjyqësor, prokurori dhe antikorrupsion, më shumë se një dekadë ka qenë njeriu i parë i gjykatës irlandeze, ndërkaq sot kryetar i “Asociacionit Ndërkombëtarë të Prokurorëve”, pjesëtar në Irlandë në Komisionin Venecian dhe i Komisionit të Ekspertëve për antikorrupsion në BE.
I dyti është Xhon O’Saliven, prokuror i njohur special prej SHBA-së, puna e tij e mëhershme tregon se ka zgjidhur shumë raste të rëndësishme lidhur me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pas arritjes në Shkup ai është takuar me ministrin e drejtësisë, Adnan Jasharin, i cili e ka informuar ekspertin amerikan për mënyrën se si është i organizuar gjyqësori, gjithashtu edhe si funksionon, organizimi i tretmanit gjyqësorë në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë. Prej anës së tij, O’Saliven e ka njoftuar ministrin me strukturën dhe funksionimin e prokurorisë në SHBA, në të gjitha nivelet.
“Në takimin u diskutua edhe për marrëveshjen e 2 qershorit, duke e theksuar emërimin e prokurorit special si një ndër pikat kryesore që i kanë nënshkruar palët e kësaj marrëveshje”, ka njoftuar Ministria e Drejtësisë.
Gjyqësori nën mbikëqyrje
Ekspertët vijnë dhe shkojnë, por detyrë e grupit punues për nesër (21.08) është që të përgatisin propozime ligjore të cilat do ta garantojnë autonominë e prokurorit special. Pritet që propozimi ligjor të jetë i harmonizuar më së voni deri në fund të gushtit, që të vihet në votim në Parlament menjëherë pasi të kthehen deputetët e opozitës në shtëpinë legjislative, sipas marrëveshjes më 1 shtator. Pastaj, deri në emërimin e prokurorit i cili është paraparë për 15 shtator, katërshja e madhe duhet të vendosë se cilit do t’i besohet ky funksion i rëndësishëm, për ta udhëhequr plotësisht lëndën për aferën e përgjimeve.
Por, kjo nuk do të thotë që ekspertët e mbikëqyrjes do të fokusohen në zbatimin e marrëveshjes që do të drejtohet veçmas drejt këtij institucioni. Përkundrazi, nën mbikëqyrje do të jetë funksionimi i sistemit të prokurorisë dhe gjyqësorit. Para një muaji ministri Adnan Jashari dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarls Garet, nënshkruajtën memorandum për bashkëpunim në implementimin e projekteve për mbikëqyrje në sistemin prokuror-gjyqësor në Maqedoni.
“Rezultatet e këtij projekti do të mundësojnë të vlerësohet përparimi në fushën e gjyqësorit nëpërmjet prizmit të shumë faktorëve, të cilët më të rëndësishëm janë: kualiteti, paanësia, integriteti, pavarësia dhe imuniteti i trajtimit. Projekti do të mundësojë që nëpërmjet këtij instrumenti të ndihmohet për ndërtimin e politikave të ardhshme, ndryshime në legjislacion dhe ndjekje të zbatimit ligjor”, njofton Ministria e Drejtësisë.
Sipas Jasharit, projekti do të krijojë kushte për vendosjen e praktikës gjyqësore në sistemin gjyqësor të Maqedonisë, në përputhshmëri me standardet e BE-së.