Site icon PORTALB

Pa fakte çështjet e drejta zbehen

[Recension: Skandal: 120 ish ushtarë të UÇK-së shëndrohen në militantë partiak pas punsimit në administrate]

Gjatë trajtimit të temave të ndryshme me interes shoqëror, gazetari e ka për detyrim të mbajë llogari për dinjitetin e individëve dhe grupeve të njerëzve. Etiketimi dhe përçmimi i njerëzve pa fakte bie ndesh me normat profesionale dhe etike gazetareske. Autori i tekstit që po recensohet për konstatimet e dhëna do të duhej të kishte burime që atë të merren si të besueshme.

Linku deri te artikulli origjinal: Skandal: 120 ish ushtarë të UÇK-së shëndrohen në militantë partiak pas punsimit në administrate

Data dhe koha e publikimit: 10.08.2015

Data e recensionit: 12.08.2015

Recensues: Benjamin Arifi

Është fakt që Maqedonia merr kritika të shumta në raportet ndërkombëtare për partizimin dhe mbingarkimin e administratës shtetërore. Megjithatë, kjo nuk e bën me automatizëm “militant partiak” secilin të punësuar në institucione, ashtu siç qëndron në titullin e këtij teksti.

Autori ngre dhe dilema të tjera, duke e vënë në pikëpyetje qëllimin për pjesëmarrje në luftë të personave në fjalë, por edhe duke konstatuar se gjysma e tyre qenkan të pashkolluar.

Këto persona që thirren në emër të kombit  duket se kan luftuar dhe luftojnë vetëm për interesa personale, gjysma e tyre janë të pashkolluar dhe në këtë mënyrë u zënë vendin e punës studentëve të suksesshëm shqiptar.

Paragjykimi se dikush paska shkuar në luftë për interesa personale, vetëm pse 14 vite pas përfundimit të konfliktit të armatosur kërkon të drejtën e punësimit, është tejet i pabazë dhe jo-profesional. Një gjë e tillë është vështirë e verifikueshme. Bëhet fjalë për  koment klasik nga autori që nuk mund assesi të verifikohet dhe të integrohet brenda lajmit.

Po aq jo-profesional është edhe konstatimi se gjysma e këtyre personave janë të pashkolluar dhe u zënë vendin kuadrove të suksesshëm. Së pari, autori nuk sjell informacione për nivelin e arsimit të 120 ish ushtarëve të UÇK-së për të cilët shkruan dhe së dyti, është praktikisht e pamundur që ata t’i zinin vendin dikujt më të shkolluar. Ligji për Administratë Shtetërore dhe Publike parashikon qartë kushtet e nevojshme për punësim në administratë, ndërsa secili konkurs punësimi kërkon nivel minimal shkollimi, që e bën të pamundur pohimin e autorit.

Nëse pohimi do të ishte i saktë, atëherë do të duhej të përfshinte edhe punëdhënësin. Shqetësimet për nivelin e administratorëve ngrihen me të drejtë, pasi profesionalizmi dhe aftësia e tyre është një nga sfidat kryesore të shoqërisë sot. Punësimet partiake dhe jo ato mbi baza profesionale janë shqetësim real, por pa argumentuar dhe dhënë fakte për veprimet e tilla, gjithçka mbetet spekulative.

Nga ana tjetër gazetari duhet të përmbahet nga konstatime dhe paragjykime, sidomos kur me to mund të ofendojë dhe të cenojë dinjitetin e një individi ose një grup njerëzish. Udhërrëfyes për gazetarin duhet të jenë vetëm faktet dhe argumentet, ndërsa konstatimet e tij mund të botohen vetëm në rubrikën “opinione” ose “editoriale”.

Exit mobile version