Site icon PORTALB

Pas 14 viteve ende nuk ndjehet efekti i Marrëveshjes së Ohrit

Marrëveshja e Ohrit

Marrëveshja e Ohrit

Në përvjetorin e 14 të Marrëveshjes së Ohrit, gjithnjë e më tepër potencohet nevoja për implementimit të saj në tërësi.

Kryetari i Këshillit euroatlantik, Ismet Ramadani, thotë për Portalb se Marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar dhe se ajo po devalvohet.

“Mendoj se Marrëveshaj e Ohrit nuk është realizuar siç ishte paraparë, sepse tani më kanë kaluar të gjitha afatet për implementimin e saj. Realiteti në raportet ndëretnike, kthimi i mirëbesimit, vendimmarrjet të ju takojnë të dyja palëve, dmth maqedonasve dhe shqiptarëve, vitet që kaluan shohim se MO devalvohet. Pala maqedonase e sidomos VMRO-ja asnjëherë sinqerisht nuk e ka pranuar MO-në, prandaj ka pasur shantazhe që MO të mos jetësohet. Në këtë drejtim nuk është punuar fare me ç’rast ka ndodhur edhe një devijim i madh drejt eurointegrimeve. Përfaqësimi i shqiptarëve sipas MO-së nuk u bë ashtu si duhet, u bë hile në hierarkitë e institucioneve, ku u bënë punësime, por shqiptarët nuk morën vende vendimmarrëse. Gjithashtu nuk u arrit të merret posti i kryetarit të parlamentit nga ana e shqiptarëve. Aty ku dikasteret udhëhiqen nga maqedonasit mund të vërejmë një përqindje shumë të vogël të të punësuarve shqiptarë dhe as që tentojnë që ta rrisin përfaqësimin”, tha Ramadani.

Ai gjithashtu shtoi se edhe pas 14 vite ende ekziston urrejtja, ofendimet dhe mos respektimi ndëretnik.

“Edhe pas 14 viteve MO nuk është implementuar, nuk ka jetësi. Edhe pas 14 viteve të ne ende po ndodhin rrahjet, urrejtjet ndëretnike, ofendime ndaj kulturës shqiptare dhe kjo na sjell në konstatim se MO nuk është realizuar”, shtoi Ramadani.

Ish ministri i jashtëm i Maqedonisë, Denko Maleski vlerëson se Maqedonia do të kujdes për balancimin delikat etnik në të gjitha vendimet politike.

“Në 2001 nën presonin ndërkombëtar dhe me ndihmën e NATO-s, u ndalua konflikti i armatosur, kurse Maqedonia ishte e detyruar që të lëshojë strategjinë politike të vitit 1991. Marrëveshja e Ohrit e vendosi demokracinë maqedonase në drejtim të ri. Nëse së shpejti realizohet një stil konsensual i ri në politikën maqedonase, i cili do të kujdesej për balancimin delikat etnik në të gjitha vendimet politike, Maqedonia do të mund të përparonte drejt konsolidimit demokratik”, tha Maleski për Portalb.

Ai shtoi se Maqedonia ka nevojë për  një lëvizje politike e cila pa rezerva do të largonte sistemin e vjetër dhe do të identifikohej me një strategji të re demokratike.

“Problemi në Maqedoni sot është që një ka një lëvizje politike e cila pa rezerva do të largonte sistemin e vjetër dhe do të identifikohej me një strategji të re demokratike”, shtoi Maleski.

Ndryshe, nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit me rastin e 14 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit thonë se Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet dokumenti paqësor që mban gjallë procesin e demokratizimit, mirëkuptimit, tolerancës në vendin tonë.

“Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet dokumenti paqësor që mban gjallë procesin e demokratizimit, mirëkuptimit, tolerancës në vendin tonë. Në këtë përvjetor të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ky dokument na orienton më shumë se kurrë drejt perspektivës të shoqërisë tonë kah integrimi euro-atlantik”, thuhet në kumtesën e SIMO-s.

Sipas SIMO-s, në këtë kohë, Marrëveshja Kornizë e Ohrit duhet të mbetet vizioni për një ardhmëri të përbashkët të të gjithëve, pa dallim etnie, religjioni apo grupi social./Portalb

Exit mobile version