Site icon PORTALB

Demanton Arifi: Me punësimin e veteranëve është ngritur vlera e luftës dhe e popullit!

Veteranet e UCK-se

Veteranet e UCK-se

“Skandal: 120 ish ushtarë të UÇK-së shëndrohen në militantë partiak pas punsimit në administratë”- titullohet një lajm që qarkullon në media. Kjo akuzë e rëndë dhe fyese, e detyroi përfaqësuesin e këtyre 120 veteranëve, Fejzulla Arifi të prononcohet për Portalb.

Sipas tij, është skandaloze të paraqitet si skandal vetëm pohimi se 115 prej 120 protestuesve janë punësuar pas protestës. “Gazetarët sigurisht kanë menduar se ne do të bëhemi instrument i partive politike, se jemi bërë instrument i partisë që është që 12 vite në pushtet, por ne nuk kemi qenë asnjëherë militantë të ndonjë partie e as që e kemi plan të militarizohemi ndonjëherë.”-qartësoi Arifi.

Për më tepër, “Në protestë nuk kemi kërkuar kompenzim, por kemi dalur si burra të kërkojmë të drejtën tonë, që është përfshirë me MO. Që nga deklarata e parë të dhënë për Alsat-M ne kemi kërkuar që çështja jonë të zgjidhet ashtu si ajo e branitellave… Nuk jemi punësuar nga dëshira e BDI-së, sepse po të kishte qenë aq lehtë nuk do të na mbanin 12 orë në shi e nuk do të na detyronin të shkojmë 2-3 herë. Por pasi presioni ka qenë i madh, e panë të domosdoshme të na punësojnë. E këtë nuk na e kanë bërë dhuratë, por e kemi merituar.”- thotë ai.

Sipas Arifit, ndarja e organizatës së veteranëve i ka dobësuar ato dhe është shkak për gjendjen aktuale. Siç thotë ai “SHVL e Fazli Veliut është krejtësisht e politizuar nga BDI, ndërsa OVL e Besim Hodës është politizuar nga qarqe tjera opozitare. Ne 120, po me siguri edhe 120 a 220 tjerë që jemi, nuk e kemi plan të militarizohemi nga asnjë subjekt politik, duam të formojmë vetëm një organizatë të veteranëve dhe atëherë do të artikulohen shumë më mirë interesat e të gjithë veteranëve dhe të gjitha kërkesat e popullit tonë.

Sa i përket vlerësimit të Hodës për Klan.mk se punësimet e këtilla e nënçmojnë UÇK-në Arifi deklaroi: “Para së gjithash, Besim Hoda nuk është solidarizuar aspak me ne, ai nuk ka ardhur para selisë së BDI-së as më 31 dhjetor e as më 20 janar, me kritikat e njejta si sot që prej fillimit të procesit. Faktikisht ai ka punuar me paragjykime. Por shumë herë e kemi bërë të qartë, ky problem është me karakter social: kishim mbetur të papunë! E me këtë punësim nuk është nënçmuar lufta, por përkundrazi janë ngritur vlerat edhe të luftës edhe të popullit, sepse nëse veterani është i papunësuar atëherë bëhet manipulimi i të gjithëve. Thjeshtë punësimi e ngrit dinjitetin e të gjithëve po sidomos të veteranëve, sepse ato kanë familje dhe nuk mundet tani fëmijët e tyre të dalin nëpër qytet të kërkojnë lëmoshë.”– tha Arifi.

Ai shtoi: “Jemi të interesuar që të punësohen të gjithë, deri në veteranin e fundit të luftës, varësisht aftësive arsimore që ka, por nuk ia kemi zënë askujt vendin e punës. E kështu t’ia mbyllin hapësirën e manipulimit manipuluesve partiak të BDI-së apo kushdo qoftë që kanë marrë para prej njerëzve dhe i kanë punësuar e maltretuar. E nëse është dikush që ka bërë propagandë për BDI-në duhet të ceket me emër e mbiemër dhe jo kështu të njollosen të gjithë.”/Portalb.mk

Exit mobile version